Kryetari i shoqatës së bashkive, Agron Haxhimali e ka cilësuar problematike mungesën e investimeve për shërbimin zjarrëfikës në vend.
Duke komentuar në një intervistë me moderatorin Renaldo Salianji, në studion e News24, Haxhimali tha se është e pafalshme që në 2025 të shohësh zjarrëfikës me mëngë të shkurtra dhe pa doreza të luftojnë me flakët ndërsa vullnetarët të shuajnë zjarret me fshesa shqope.
“Flota e sistemit të mbrojtjes së zjarreve është e dobët dhe e varfër. Po ndaloj te baziket, Kroacia ka 5 avionë për shuarjen e zjarreve, Mali i Zi ka 2 të tillë kanadier, kemi varfëri në këtë aspekt.
Bashkitë me gjithë përpjekjet e tyre, nuk kanë potencialin për të ndërhyrë menjëherë qoftë me mjete apo burime njerëzore të ndërhyrjnë në kohë”, tha Haxhimali.
Sipas tij, Shqipëria ende ka një model që reagon ndaj zjarreve, jo që i parandalon ato.
Haxhimali tha se pritshmëritë e larta që iu krijuan publikut nga përdorimi i dy satelitëve, të cilët supozohej të dërgonin sinjale të shpejta dhe në kohë rekord sapo të niste një zjarr në pyje, sot duken të zhgënjyese.
“Duhet të forcohen kapacitetet e mbrojtjes civile dhe zjarrfikësve, të rritet roli i pushtetit vendor në menaxhimin e rrezikut dhe parandalimit, të investohet në mjete si aeroplane, makineri, paisje me mjete dhe teknologji, mbështetje financiare për sektorin ne insfrastrukture dhe burimet njeëzore etj.
Ajo që na duhet është një strategji e qëndrueshme: planifikim i hershëm, investim në parandalim dhe një kulturë përgjegjësie të ndarë mes institucioneve dhe komunitetit”, tha kryetari i shoqatës së bashkive, Agron Haxhimali.
