Delvinë – Situata nga zjarret në zonën e Delvinës vijon të jetë shqetësuese, ndërsa një incident serioz ka ndodhur gjatë përpjekjeve për shuarjen e flakëve. Nënkryetari i Bashkisë së Delvinës, Filip Xuxi, është asfiksuar nga tymi teksa ndodhej në vijën e parë të frontit të zjarrit, si pjesë e grupit të emergjencës që po punon për kontrollin e situatës.
Xuxi është transportuar me urgjencë në spital në gjendje të rënduar shëndetësore si pasojë e inhalimit të tymit në sasi të mëdha. Aktualisht ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve në repartin e urgjencës, ndërsa gjendja e tij po monitorohet nga afër.
Zjarret kanë përfshirë disa zona të pyllëzuara përreth qytetit të Delvinës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe duke vështirësuar ndërhyrjen për shkak të terrenit të vështirë dhe erërave të forta.
Autoritetet lokale dhe forcat zjarrfikëse po vazhdojnë përpjekjet për vënien nën kontroll të flakëve, ndërsa apelojnë për ndihmë shtesë dhe kujdes nga banorët e zonës.
