Gramshi po përballet ende me një situatë të vështirë të krijuar nga zjarret që kanë shkrumbuar fshatra të tëra dhe kanë marrë jetë njerëzish.

Sot, nga masivet pyjore të zonës ngrihen shtellunga të mëdha tymi, duke treguar se flakët vazhdojnë të përhapen.

Fshatrat Shëmbërdhenj dhe Bletas janë zhdukur plotësisht nga harta, ndërsa rreziku mbetet i lartë për Harunas, Nartë, Shelcan, Bulçar, Snosëm, Sojnik, Probat dhe Grabovën e Poshtme. Autoritetet dhe forcat e emergjencës vijojnë përpjekjet, por terreni i vështirë malor dhe temperaturat e larta po pengojnë ndërhyrjen efektive.

Deri më tani, është konfirmuar humbja e jetës së një personi, ndërsa një tjetër dyshohet i vdekur. Disa banorë kanë mbetur të plagosur, ndërsa dëmet materiale janë të pallogaritshme. Banorët e zonës vijojnë të largohen me urgjencë nga banesat, duke marrë me vete vetëm gjërat më të domosdoshme.

Ndërkohë, helikopterët e emergjencave civile mbeten në gatishmëri për transportin e të plagosurve drejt spitalit të Tiranës, ndërsa situata pritet të mbetet kritike edhe në orët në vijim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb