Prej 6 ditësh, një zjarr i përmasave të mëdha vijon të djegë një pjesë të zonës pyjore të fshatit Dardhë, në Bashkinë e Librazhdit, ndërsa përpjekjet për vënien nën kontroll të flakëve po përballen me vështirësi të mëdha për shkak të terrenit malor, erës së fortë dhe temperaturave të larta.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Dhjetëra forca të shërbimit zjarrfikës të Librazhdit , të mbështetura nga strukturat e emergjencave civile, janë angazhuar pa ndërprerje në terren për izolimin e vatrave aktive dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit. Megjithatë, kushtet atmosferike kanë favorizuar avancimin e flakëve në një sipërfaqe të gjerë me bimësi të thatë dhe pyje.

Terreni i thyer malor e bën të vështirë ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse, duke detyruar ekipet të punojnë në shumë sektorë në këmbë për të frenuar përhapjen e zjarrit. Prioritet mbetet mbrojtja e sipërfaqeve pyjore dhe shmangia e rrezikut për përhapjen e flakëve jashtë zonës së vënë aktualisht nën kontroll .

Dardha e Librazhdit është një zonë e pasur me pyje dhe bimësi natyrore, ndaj dëmet mjedisore pas këtij zjarri pritet të jenë të konsiderueshme. Deri tani nuk raportohen persona të lënduar. Fatmirësisht vatra e zjarrit është larg zonave të banuara dhe nuk bëhet fjalë për banesa të rrezikuara, ndërsa autoritetet vijojnë monitorimin e situatës në terren.Zona ku vatrat e zjarrit janë aktive në të gjithë sipërfaqen e saj ka patur me mijëra m3 lëndë drusore të thatë të mbetur aty nga masakra e kryer vit pas viti nga shfrytëzuesit e paligjshëm të ekonomisë pyjore në dekadën e fundit.

Zona e Qarkut Elbasan ishte paralajmëruar disa ditë më parë nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile si një nga rajonet me rrezik shumë të lartë për shpërthimin dhe përhapjen e zjarreve, për shkak të valës së të nxehtit dhe temperaturave ekstreme që kanë përfshirë vendin gjatë fundjavës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb