Shkaqet e zjarrit të përmasave të mëdha që përfshiu Himarën mbeten ende për t’u përcaktuar. Kryebashkiaku Vangjel Tavo, duke folur për emisionin “Minuta e Parë” në News24 me Ola Brukon, deklaroi se përgjegjësia për zbardhjen e rrethanave i takon Policisë dhe Prokurorisë.
I pyetur nëse zjarri mund të ketë qenë i qëllimshëm, Tavo u shpreh i rezervuar: “Kjo është çështje që merret policia dhe prokuroria. Nuk kemi një raport përfundimtar dhe nuk mund të shprehem pa pasur një hetim për këtë rast.”
Ai tha se nuk ka dijeni për ndonjë indicie që zjarri të jetë vënë qëllimisht. Ndërkohë, lidhur me zërat se zjarri mund të jetë përdorur si skenar për Paketën e Maleve, kryebashkiaku i Himarës i cilësoi këto pretendime si “përralla”.
Tavo foli edhe për kapacitetet zjarrfikëse të Bashkisë së Himarës, duke deklaruar se aktualisht disponohen gjashtë zjarrfikëse dhe një autobot. “Kjo është çështje që merret policia dhe prokuroria. Nuk kemi një raport përfundimtar dhe nuk mund të shprehem pa pasur një hetim për këtë rast. Nuk e kam dijeni që mund të jetë e qëllimtë. Nëse një person vë një zjarr, dy janë mundësitë, ose i qëllimshëm, ose aksidental. Janë përralla aludimet në internet. Ato janë ullishte. Pra janë ndarë me AMTP ullishtet dhe këto raste përjashtohen nga Paketa e Maleve. Vatra e parë brenda 25 minutash arriti afër banesave. Ndaj u detyrova që të nxjerr urdhrin për evakuimin e atyre banorëve që rrezikoheshin nga zjarri. Kemi 6 zjarrfikëse dhe një autobot. Janë tejet të mjaftueshme, dhe janë të reja.”, tha ai.
Hetimi pritet të përcaktojë shkakun e zjarrit, ndërsa ekipet në terren vijojnë evidentimin e dëmeve të shkaktuara në banesa, ullishte dhe pasuri të tjera të banorëve.
