Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të zjarrit që përfshiu Parkun Kombëtar të Lurës dhe për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të personave që dyshohet se kanë përgjegjësi për menaxhimin dhe mbrojtjen e territorit.

Ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” ndaj tre personave.

Të proceduarit janë K. S., 35 vjeç, S. L., 51 vjeç, të dy banues në Dibër, si dhe A. L., 64 vjeç, banues në Tiranë. Dy prej tyre kanë detyrën e rojeve të mjedisit, ndërsa njëri ka qenë përgjegjës për monitorimin e parkut kombëtar.

Sipas hetimeve, dyshohet se personat në fjalë nuk kanë marrë masat e nevojshme për ruajtjen, mbikëqyrjen dhe mbrojtjen nga zjarri të territorit që kishin në përgjegjësi. Si pasojë e zjarrit, janë dëmtuar dhe djegur disa hektarë sipërfaqe pyjore.

Ndërkohë, policia vijon intensivisht hetimet për identifikimin e autorit ose autorëve të zjarrit dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb