Një apartament në afersi të pastiçeri “Tasho” në qytetin e Korçës është përfshirë nga flakët. Raportohet se një i moshuar ka humbur jetën brenda banesës së tij si shkak i asfiksisë.
Sipas të dhënave paraprake, zjarri sapo ka rënë në një kat të pallatit ndërsa tymi po përhapet edhe në gjithë pallatin.
Aktualisht kanë mbërritur zjarrfikësit dhe forcat e policisë të cilët po bëjnë evakuimin e banorëve.
Dyshohet se shkaku i zjarrit është si pasojë e një pakujdesie, por ende nuk konfirmohet.
Po ndërhyhet për tu bërë e mundur fikja e zjarrit e më pas grupi hetimor do të bëjë zbardhjen e plotë të rrethanave.
Njoftimi i Policisë:
Korçë/Informacion paraprak
Rreth orës 15:45, në lagjen nr. 15, Korçë, në katin e parë të një pallati, dyshohet se ka rënë zjarr në banesën e shtetasit U. H., rreth 72 vjeç.
Si pasojë e asfiksisë, ka ndërruar jetë shtetasi U. H., i cili ndodhej në banesë.
Shërbimet e Policisë dhe ato të zjarrfikëses ndodhen në vendngjarje dhe po bëjnë evakuimin e banorëve të pallatit, si dhe shuarjen e zjarrit.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të rënies së zjarrit.
