Një zjarr i madh shpërtheu mëngjesin e së premtes në një apartament në katin e 11-të, të një ndërtesë 21-katëshe në lagjen Friedrichshain të Berlinit, duke lënë të plagosur pesë persona.
Sipas agjencisë gjermane të lajmeve DPA, zjarri u vu nën kontroll pas rreth tre orësh.
Situata paraqitej veçanërisht e rrezikshme për shkak të lartësisë së ndërtesës. Një prej banorëve, në përpjekje për t’i shpëtuar flakëve, u detyrua të hidhej nga dritarja. Zjarrfikësit arritën ta shpëtonin, ndërsa zëdhënësi i shërbimit zjarrfikës e përshkroi situatën si të tmerrshme.
Ekipet e emergjencës evakuuan të gjithë banorët e ndërtesës, ndërsa pesë persona të plagosur u transportuan në një spital lokal. Ende nuk ka informacion të detajuar për gjendjen e tyre shëndetësore.
Shkaku i zjarrit mbetet i paqartë. Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes.
