Protesta masive përpara Kryeministrisë ka shënuar sot ditën e saj të 23-të, ku me mijëra qytetarë kanë mbushur sërish bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në shenjë revolte ndaj qeverisë së Edi Ramës. Mes shumë fjalimeve, ai që ka prekur dhe ka ngritur peshë zemrat e të pranishmëve ka qenë mesazhi i një vajze të re, e cila ka folur në emër të gjithë rinisë shqiptare dhe studentëve që detyrohen të braktisin vendin.
Me tone të vendosura, e reja iu drejtua drejtpërdrejt kreut të qeverisë, duke shpjeguar dhimbjen e një brezi që ndihet i dëbuar nga vendi i tij, por që tashmë ka gjetur guximin për të thyer frikën.
“Njerëzit më të bukur që kam parë ndonjëherë! Unë nuk jam këtu për të folur si një personazh, por për të gjithë rininë. Për të gjithë ju që keni zgjedhur të ikni e të shkolloheni jashtë sepse vendi juaj nuk ua siguron të ardhmen. Zoti kryeministër, jemi këtu sepse zemrat tona janë të mbushura me dhimbje e zhgënjim, por edhe me shpresë, sepse kemi një të ardhme që nuk duam ta humbasim. Kemi dëgjuar gjithmonë se jemi e ardhmja, por po jetojmë në Shqipëri dhe po përballemi me vështirësi, me mungesë të mundësive dhe me frikën se ëndrrat tona do mbeten vetëm ëndrra. Kemi menduar të largohemi sepse duam një jetë më të mirë. Është e rëndë të duash një vend me gjithë shpirt dhe të ndjesh se po të largon”, u shpreh ajo me zërin që i dridhej nga emicioni.
Ajo theksoi se rinia nuk do të pranojë më të qëndrojë në heshtje përballë skandaleve dhe padrejtësive, duke u bërë thirrje edhe bashkëmoshatarëve të tjerë që të braktisin kafenetë e t’i bashkohen qëndresës.
“Sot shoh diçka më të fortë, shoh guxim dhe zemra që ende besojnë; të rinj që nuk pranojnë heshtjen përballë padrejtësisë. Nuk jemi këtu për të përçarë, por për të kërkuar të drejtën tonë. Për t’u dëgjuar dhe për të thënë se jeta jonë ka vlerë dhe zëri ynë do ngrihet edhe më fort nëse ju heshtni. Një ditë, kur të kujtojmë këtë moment këtu, do kujtojmë sa të lodhur, por edhe sa të bashkuar ishim. Nuk do mbajmë mend frikën, por kurajon që nuk u dorëzuam! Ky është zëri i një brezi që ende shpreson dhe beson se ndryshimi është i mundur. Të mos e humbasim shpresën, çohuni nga kafeja dhe bashkohuni me ne! Rinia është e ardhmja e këtij vendi kryeministër, ju keni marrë fund!”, përmbylli fjalën e saj e reja.
