Pas më shumë se një muaji e gjysmë nga depozitimi i kërkesës së SPAK për autorizimin e arrestimit të Belinda Ballukut, Kuvendi vazhdon të heshtë. Asnjë vendim, asnjë afat i qartë, asnjë shpjegim bindës për publikun. Kjo zvarritje, e paprecedentë në praktikën parlamentare të viteve të fundit, e ka kthyer një procedurë kushtetuese në një lojë nervash politike, ku humbësi kryesor është Reforma në Drejtësi.

Nga viti 2015 deri në vitin 2025, Kuvendi ka vepruar me shpejtësi për kërkesat e prokurorisë për heqje imuniteti apo autorizim arresti. Në shumicën e rasteve, vendimmarrja ka ndodhur brenda 10 ditësh. Raste të bujshme si ato të Tom Doshit, Mark Frrokut, Armando Prengës, Arben Ahmetajt apo Sali Berishës janë trajtuar me urgjencë parlamentare, pavarësisht peshës politike.

Ndërkaq, edhe Gjykata Kushtetuese, e cila shqyrtoi ankimimin e kryeministrit për pezullimin e zëvendëses së tij nga SPAK, nuk po e shpall vendimin e saj. Paradoksalisht, një vendim i shpejtë për rrëzimin e kërkesës së SPAK do të kishte qenë më i ndershëm institucionalisht sesa kjo gjendje pezullimi. Sepse drejtësia duhet të vendosë, edhe kur gabon.

Kjo gjendje pezullimi i shërben mazhorancës në disa drejtime.
– Së pari, shmangen përkohësisht pasojat e një arrestimi të mundshëm të një figure kyçe të qeverisë.
– Së dyti, zhvendoset vëmendja nga thelbi i çështjes, te procedurat.
– Së fundi, krijohet një zonë gri ku askush nuk mban përgjegjësi direkte. Por pikërisht kjo zonë gri është ajo që minon themelet e Reformës në Drejtësi.

Në këtë situatë, përgjegjësia shpërndahet mes tre institucioneve, SPAK, Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese.
SPAK ka bërë hapin e vet institucional, duke depozituar kërkesën. Kuvendi e ka marrë në dorë, por nuk ka vepruar. Ndërkohë, Kushtetuesja, si në raste të ngjashme, ka zgjedhur shpesh të mos vendosë afate të qarta, duke kontribuar në një kulturë zvarritjeje.

Rezultati në sytë e publikut perceptohet si një teatër i koordinuar, ku secili aktor duket se pret që tjetri të marrë barrën e vendimit, ndërsa drejtësia mbetet në pritje.

Zvarritja e çështjes “Balluku” nuk është thjesht një devijim procedural. Ajo është një sinjal politik, një sinjal se Edi Rama po kërkon kohë, jo për të garantuar drejtësi, por për të menaxhuar koston politike dhe për të shmangur një vendim të vështirë. Kjo vonesë, më shumë politike sesa juridike, hedh hije mbi angazhimin real të mazhorancës për Reformën në Drejtësi dhe lë publikut një ndjesi të pasigurisë se drejtësia në vend nuk është e barabartë për të gjithë.

Në fund, mënyra se si do të përfundojë kjo çështje do të tregojë më shumë për shëndetin e institucioneve tona, sesa për fatin individual të një politikani.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb