Historia që trajtohet sot në emisionin “Me Zemër të Hapur”, në News24 me moderatoren Evis Ahmeti, ka të bëjë me një burrë 50-vjeçar, i cili rrëfen se si ai dhe bashkëjetuesja e tij vijnë nga martesa të mëparshme të dështuara.

Ata kanë rreth tetë vite që jetojnë së bashku dhe nga kjo lidhje kanë sjellë në jetë një vajzë 8-vjeçare.

Problemi kryesor në marrëdhënien e çiftit lidhet me faktin se bashkëshorti ligjor i bashkëjetueses nuk paraqitet në seancat gjyqësore për divorcin.

Kjo mungesë e vazhdueshme ka krijuar vështirësi serioze, jo vetëm në përfundimin e procesit të divorcit, por edhe në përfitimin e bonusit të bebes për vajzën që çifti ka së bashku.

“Nuk kemi patur shqetësime nga familjet. Divorci nuk është kryer sepse ai zotëria nuk është paraqitur në asnjë seancë dhe në datën 11 shkurt do të zhvillohet një seancë tjetër. Zotëria është pa arsim fare, nuk njeh asgjë.  Nuk di të lexojë. Unë e kam çuar të takohet me vajzat, të çmallet, por se çfarë bëjnë atje nuk di çfarë të them më tepër. Tashmë po bën 2 vite që nuk e kam çuar sepse nuk kanë qenë mundësitë. Fëmijët i thonë nënës që duam të vijmë me ty, sidomos vajza e madhe, sepse e vogla nuk do. Dhe unë besoj që vajzave i flasin keq për nënën, “duke i thënë se nëna nuk ju do, ju la”, ka rrëfyer ai.

Pikërisht për këtë arsye, burri ka vendosur ta denoncojë publikisht bashkëshortin e bashkëjetueses, duke i bërë thirrje që të paraqitet në seancat gjyqësore dhe të mos mbajë peng një histori familjare që duhet të marrë fund.

Sipas tij, kjo situatë po dëmton jo vetëm çiftin, por edhe fëmijët, të cilët po përballen me pasojat e një procesi të zvarritur prej vitesh.

Nga martesat e mëparshme, gruaja është nënë e dy vajzave, ndërsa burri ka një djalë dhe një vajzë. Një histori e ndërlikuar familjare dhe ligjore, që sot vjen e rrëfyer publikisht në kërkim të zgjidhjes dhe drejtësisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb