Irea Mati dhe Mario Skënderaj, studentë në Fakultetin e Drejtësisë në universitetin “Luarasi”, ishin të ftuar në episodin e radhës të podcastit “Welcome to Luarasi” me Denisa Kele.

Studentët kanë vlerësuar mënyrën se si organizohen leksionet në “Luarasi” ndërsa janë shprehur se marrëdhënia që ndërtohet me pedagogët është ajo që i ka mbajtur të frymëzuar dhe të motivuar.

Ndërkohë Universiteti “Luarasi” ka si pjesë të saj edhe Klinikën Ligjore që ofron ndihmë juridike për ata që nuk e kanë mundësinë ekonomike ta marrin atë.
Irea Mati ka sqaruar se si funksionon ky shërbim dhe faktin që u jepet ndihmë personave që kanë nevojë për të p[or nuk kanë mundësi ekonomike ta sigurojnë.

“Ndihma juridike parësore lidhet me informimin që këto kategori kanë të drejtën të vijnë të kërkojnë ndihmë ligjore, ndërsa pjesa e dytë është me caktimin e avokatëve.
Një nga veprimtaritë që kemi bërë në praktikë ka qenë pikërisht njoftimi i qytetarëve për këtë ndihmë”, tha ajo.

Ndërkohë një tjetër situatë për të cilën Mario Skënderaj tha se duhet të marrë vëmendje, është shpejtësia e gjykimit, sepse zvarritja e proceseve gjyqësore mbetet një problem me të cilën përballet qytetarët. Dhe sipas tij kjo duhet trajtuar me shumë seriozitet, ndërsa shtoi se këtu mund të vijnë në ndihmë edhe zhvillimet teknologjike.

“Pjesëmarrja në gjyqe të imituara të jep mundësinë që teorinë ta përkthesh në praktikë. Në raste konkrete mund të përdoresh ligje në favorin tënd. Duhet të jesh i aftë të gjesh nene specifike që të jenë në favorin tënd. Skuadra e Luarasit është gjithmonë ndër të parët. Po ajo që do të doja të ndryshoja është shpejtësia e gjykimit, sepse problem më kryesor në vendin tonë është zvarritja e çështjeve dhe si të rinj të jemi, jemi të azhornuar me zhvillime teknologjike dhe pse ne si shtet këtë potencial teknologjik të mos e përfshijmë, pra jo të zëvendësojmë avokatë”, tha mes të tjerash djali.

Nga ana e saj Irea Mati u shpreh se do të duhet të kishte më shumë vëmendje Kodi i Punës. Gjatë intervistës, theksoi se në vetvete Kodi i Punës është shumë teorik dhe se sipas saj do të duhej që të kishte shtesa e ndryshime.

“Në vetvete Kodi i Punës është shumë teorik dhe përfshin të gjithë anën procedura se si duhet të funksionojë, por mendoj që në praktikë çalon shumë dhe në raste konkrete lë hapësira. Mendoj që është një nga problematikat e shoqërisë tonë. Mendoj që duhet të ketë akoma shtesa e ndryshime dhe të theksohen disa gjëra më qartë në kod”, tha studentja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb