ZVICËR-Një shtetas kosovar është vrarë mbrëmë në Zvicër nga një shtetas italian.

Ngjarja ka ndodhur në komunën e Winznaut, në kantonin gjermanishtfolës të Solothurnit.

Arben Gashi, 32-vjeçar, nga fshati Nekoc i Drenasit, dyshohet të jetë vrarë gabimisht, pasi në shtëpinë e tij ka jetuar më herët një serb, i cili mësohet të ketë pasur probleme me italianin.

Gashi është vrarë me tre plumba, ndërsa ai po pastrohej në banjë, teksa autori i vrasjes ka menduar se aty ndodhej serbi me të cilin ai kishte probleme, ka mësuar Gazeta Express.

Italiani, i moshës 38-vjeçare, është arrestuar nga policia, dhe e ka pranuar vrasjen, e cila ka ndodhur në pasditen e 4 korrikut.

Policia është në kërkim edhe të një personi, që besohet të ketë qenë pjesë e vrasjes.

Në shtëpi thuhet të kenë qenë edhe dy shqiptarë, të cilët kanë dalë nga  dritarja gjatë ngjarjes tragjike.

Dëshmitarët i kanë thënë policisë që dy persona kanë qenë të veshur me rroba sportive, dhe kanë pasur një çantë sportive me vete.

Ata gjithashtu i kanë thënë policisë që shtëpia ku ka ndodhur krimi nuk ka pasur kurrë probleme, ndonëse e kanë ditur që aty nuk kanë jetuar njerëz që flisnin gjermanisht.

(d.d/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb