Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes është mbledhur sot për herë të parë. Pas hapjes së punimeve nga kreu i këtij komisioni, Bledi Çuçi, i pari që mori fjalën ishte deputeti i PD-së, Klevis Balliu, i cili ngriti shqetësimin e rendit dhe të sigurisë në vend.

Ai tha se ky komision duhet të trajtojë çështjet që janë ngritur shqetësim dhe nga raportet ndërkombëtare, si në rastin e DASH apo hetimet e Antimafias italiane.

“Duke marrë parasysh gjendjen aktuale të vendit, bazuar te raportet ndërkombëtare, siç ishte dhe ai I DASH. Duke iu bazuar dhe raporteve të Antimafias italiane, është me rëndësi që ky komision, përpos pr/ligjeve të reja, të respektojë dhe garantojë respektimin e ligjeve aktuale sot. Ne duhet të garantojmë që ligjet që kemi sot, të respektohen. Duhet të vëmë para përgjegjësisë njerëzit që s’po kryejnë detyrat, sidomos ata të sigurisë. Ky komision duhet të informohet për takimet që supozohet dhe sipas raporteve të Antimafias italiane që politikanë të niveleve të larta kanë pasur kontakte dhe takime me personalitet të krimit të organizuar. PD do të jetë e hapur për debat, që të çojmë para agjendën drejt BE. Siguria është e të gjithëve nuk i përket një partie. Nuk duhet të harrojmë që në këtë vend prej kohësh kemi pasur qytetarë të pafajshëm që kanë ngelur viktima të përplasjeve mes bandave. Kjo do të jetë një çështje që ky komision duhet të merret. PD është e hapur për diskutime për të siguruar rendin në vend.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb