Takimet e zhvilluara ditën e djeshme mes zyrtarëve të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe krerëve të grupeve parlamentare të PS dhe PD kanë qenë në fokus të analizës së pedagogut Afrim Osmani, i cili foli në studion e News24 për domethënien politike të këtyre kontakteve.

Sipas Osmanit, SHBA e njeh shumë mirë realitetin shqiptar dhe mënyrën se si funksionojnë proceset politike dhe institucionale. “Ata dinë procesin, e kanë kaluar më parë në vende të tjera dhe e dinë çfarë sjell një proces konfliktual. E dinë shumë mirë se çfarë është korrupsioni dhe si ai shtrembëron gjithë klimën e funksionimit të gjërave,” u shpreh ai.

Pedagogu theksoi se në një sistem demokratik palët politike nuk duhet të sillen si armiq, por si kundërshtarë. “Kur ke një armik, je i interesuar ta eliminosh. Kjo, për fat të keq, është mënyra si bëhet politika në Shqipëri. Ndërsa politika kundërshtare ka garën në thelbin e saj,” tha Osmani.

Duke iu referuar rolit ndërkombëtar të Shqipërisë, ai vlerësoi se vendi ka një peshë të rëndësishme gjeopolitike. “Shqipëria është vend evropian dhe ka një pozicion të rëndësishëm për SHBA, prandaj ekziston ky interes i vazhdueshëm,” u shpreh ai, duke shtuar se Uashingtoni është i aftë të dallojë se kur proceset nuk funksionojnë siç duhet.

Osmani theksoi se SHBA i sheh qartë problemet që lidhen me drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit. “Kur nuk hiqen imunitetet dhe kur SPAK ka kaq shumë punë, kjo tregon situatën reale. Sot SPAK është heroi i ditës në Shqipëri,” deklaroi ai.

Ai vlerësoi se shqetësimet e SHBA nuk janë të njëanshme. “Unë mendoj se SHBA e ka problemin me të dyja palët,” tha Osmani, duke nënvizuar se mesazhi i Uashingtonit lidhet me nevojën për procese të rregullta, konkurrencë politike dhe funksionim të shtetit të së drejtës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb