Gazetari Reldar Dedaj, i ftuar në emisionin “Studio24”, ka komentuar takimet e zhvilluara gjatë ditës së sotme mes përfaqësuesve të ambasadës amerikane dhe krerëve të grupeve parlamentare të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, Taulant Balla dhe Gazment Bardhi.
Sipas Dedajt, takimet kanë pasur në fokus nisjen e sesionit të ri parlamentar, marrëdhënien me SPAK-un dhe çështje të tjera aktuale të jetës politike. Megjithatë, ai theksoi se mbi të gjitha prevalon një interes i vazhdueshëm i Shteteve të Bashkuara pas fjalimit të kryeministrit Edi Rama, ku sipas tij u nënkuptua një afrim apo “flirt” me Kinën.
Gazetari u ndal veçanërisht te projekti “Smart City”, për të cilin pretendohet se zbatohet nga një kompani me bazë në Abu Dhabi, por që, sipas informacioneve, pajisjet i siguron nga Kina. Dedaj tha se çështja e Kinës është kthyer në një shqetësim serioz për Departamentin e Shtetit, ndonëse kjo nuk është shprehur drejtpërdrejt nga zyrtarët amerikanë.
“Nuk është thënë hapur, por ky është shqetësimi kryesor që ata kanë lënë të kuptohet,” u shpreh Dedaj.
Sipas tij, me Taulant Ballën është diskutuar kryesisht kjo tematikë, ndërsa në takimin me Gazment Bardhin janë prekur të gjitha çështjet e aktualitetit politik. Dedaj theksoi se përfaqësuesit amerikanë kanë bërë pyetje për qëndrimet e Bardhit, pa shprehur vlerësime apo opinione konkrete.
