Batyr Berdyklychev, kreu i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Rusi, ka hedhur poshtë zërat për një virus të ri në vend, njoftoi agjencia e lajmeve TASS.

Përfaqësuesi i OBSH-së në Moskë ka konfirmuar se rastet e fundit të dyshuara në Rusi janë shkaktuar nga infeksioni i njohur bakterial i pneumonisë mykoplazmatike, thuhet në raport.

Berdyklychev tha për TASS se OBSH kishte kërkuar të dhëna të ngjashme nga autoritetet ruse në përgjigje të raporteve të pacientëve që kolliten me gjak.

“Pas hetimeve, përfshirë konfirmimin laboratorik, u konstatua se pesë rastet e raportuara në Moskë dhe rajonin e Moskës ishin shkaktuar nga pneumonia mikoplazmatike. Ky nuk është një virus i ri dhe numri i rasteve nuk paraqet rrezik të shtuar epidemiologjik”, tha ai.

Berdyklychev tha se OBSH ka krijuar një bashkëpunim efektiv me Shërbimin Federal të Rusisë për Mbikëqyrjen e Mbrojtjes dhe Mirëqenies së Konsumatorit, duke shtuar, “Ky është një shembull shumë i mirë i faktit që Federata Ruse ka ngritur një sistem të besueshëm të mbikëqyrjes epidemiologjike”.

 

(A.A/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb