Mbrëmje festive për Paris Saint-Germain, që të mërkurën në mbrëmje arriti të shpallet matematikisht kampion i Francës për herë të 14-të në histori dhe për të pestin sezon radhazi. Në ndeshjen e prapambetur të javës së 29-të të Ligue 1, skuadra e Luis Enrique triumfoi 2-0 në transfertë ndaj RC Lens, duke siguruar titullin kampion.

Në një atmosferë të ndezur, sfida nis me ritëm të lartë dhe me vendasit që provojnë të vendosin presion në minutat e para. Megjithatë, në minutën e 29-të vjen momenti që ndryshon ndeshjen: Ousmane Dembélé shërben saktë për Khvicha Kvaratskhelia, i cili dërgon topin në rrjetë dhe kalon PSG-në në avantazh.

Lens reagon menjëherë dhe rrit intensitetin si në fundin e pjesës së parë, ashtu edhe në nisjen e së dytës. Rasti më i mirë për vendasit vjen në minutën e 74-t, kur Sékou Mara Sima godet shtyllën në një kundërsulm të shpejtë, duke bërë që PSG të vuajë deri në sekondat e fundit.

Por në kohën shtesë, parisienët mbyllin përfundimisht llogaritë. Désiré Doué depërton bukur nga e djathta dhe gjen në zonë talentin e ri Ibrahim Mbaye, i cili me një goditje të fuqishme nën traversë vulos rezultatin 2-0.

Në fund shpërthen festa e madhe e Paris Saint-Germain, që shkruan historinë me titullin e 14-të kampion në Francë. Tashmë skuadra e Luis Enrique-s kthen vëmendjen nga finalja e UEFA Champions League, ku synojnë të kurorëzojnë një tjetër sezon të jashtëzakonshëm.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: