Në ceremoninë e diplomimit të brezit të 10-të të studentëve, Guvernatori i BSH, Gent Sejko dhe Presidenti i INFOSOFT, Grigor Joti mbajtën “commencement speech” duke frymëzuar studentët për t’iu përkushtuar punës. Në një ceremoni me praninë e familjarëve, miqve, kolegëve dhe të ftuarve të veçantë studentët e sapodiplomuar të Universitetit Europian të TIranës, hodhën kapelat në ajër, në simbol të një “fitoreje” dhe fillimi të ri. Ky përvjetor i 10-të i diplomimit kurorëzoi mundin e 685 studentëve, në të treja ciklet e studimit.

Një eveniment i rëndësishëm që shënjon një nga çastet më të lumtura për të gjithë ata, të cilët ndër vite, i kanë kushtuar përpjekjet dhe vullnetin e tyre dijes, për tu shpërblyer në fund me diplomën aq shumë të dëshiruar. E kthyer tashmë në traditë, Ceremonia e Diplomimit në Universitetin Europian të Tiranës, kishte dy të ftuar të veçantë të cilët mbajtën për studentët ‘commencement speech”. Këto fjalime, ashtu si në universitetet e mirënjohura ndërkombëtare, shërbejnë për të motivuar dhe frymëzuar studentët e sapodiplomuar në rrugëtimin e ri që i pret.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe themeluesi dhe Presidenti i kompanisë së parë informatike në Shqipëri, INFOSOFT, Grigor Joti ndanë me studentët jo vetëm historinë e tyre të suksesit, por edhe këshillat dhe botëkuptimin e tyre në lidhje me të ardhmen që i pret të sapodiplomuarit. Grigor Joti u shpreh në mënyrë të sinqertë në lidhje me sfidat dhe realitetin e tregut të punë, që i pret studentët e sapodiplomuar.

“Që të jem i sinqertë me ju, unë kam qenë pedagog matematike dhe kam ngelur studentë në klasë, e kam bërë dhe këtë. Kështu jemi ne të matematikës, edhe në biznes nuk jemi shumë tolerantë. Ju duhet të bëni hesapet mirë që kur të filloni punën, nuk do keni më këta pedagogët e mirë dhe tolerantë, por do keni disa shefa të “shpifur” si puna ime që do ju kërkojnë llogari e do ua nxijnë jetën.”. Në një fjalim të shpenguar dhe të çliruar nga klishetë ai u ka dhënë disa studentëve edhe disa këshilla. “E vërteta është se ju keni shumë të drejtë të jeni të kënaqur e të lumtur sot, sapo kompletuat një detyrë shumë të rëndësishme të jetës suaj, në gjuhën e biznesit keni bërë investimin kapital kryesor. Tani do merrni rezultatet e këtij investimi. Dikush që do dojë një jetë të qetë e modeste, që me diplomën e UET mund të zërë një punë të mirë me një rrogë të mirë të krijojë një familje, por gjithsesi do t’i duhet të numërojë ditët derisa të marrë rrogën tjetër. Nëse e doni suksesin atëherë emri i lojës është punë, punë, punë. Edhe këtu në letër fjalën punë e kam shënuar me gërma kapitale. E di që nuk po ju them ndonjë gjë të re. Por kjo është, ju siguroj se nuk ka një rrugë tjetër. Duhet edhe fat, por ju siguroj që fati shkon tek ai që punon.”, tha ai./Mapo

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb