Emisioni investigativ Vetting në News24

Një ndër problemet më të hershme që hasin pacientët në SUT lidhet me protezat apo implantet ortopedike, të cilat përdoren për të bashkuar kockat e dëmtuara ose për të zëvendësuar pjesë të ndryshme. Nga intervistat e ndryshme që ka realizuar “Vetting” pranë ish-Spitalit Ushtarak, është zbuluar se familjarë të pacientëve nuk i marrin pllakat ortopedike tek Spitali, por në treg të zi ose te farmaci private.

“Të jetë ky spital, çereku i Shqipërisë ngelet në karroca. Mue më është aksidentuar djali para dy muajsh, të dy këmbët i ka thye”.

“E kam marrë platini, se më thanë mue këtu cdo pllakë e ke këtu”!

“A ke pllakë platini? Jo, platini nuk e kemi…’

Se platini nuk disponon spitali…”

 

Por çfarë ka ndodhur me fondet për protezat ortopedike?

Nga të dhënat zyrtare rezulton se Spitali i Traumës vazhdimisht ka organizuar tendera për implantet ortopedike. Në vitin 2016, Ministria e Shëndetësisë do të organizonte garën për dy tendera me vlerë 2.2 milionë euro për furnizim me proteza Spitalin e Traumës, Durrësit dhe spitalet e tjera rajonale.

Megjithatë gara për këto tendera është rrethuar nga indicie për korrupsion pasi janë fituar nga e njëjta kompani me garë fiktive. Konkretisht në gusht të 2016, Ministria e Shëndetësisë, nën drejtimin e Ilir Beqajt, do të shpallte fitues me ofertë rreth 2 milionë euro bashkimin e kompanive “TRIMED” dhe “Layo” sh.p.k për furnizimin me materiale mjekësore për ortopedinë në QSUT, në Spitalin e Traumës dhe Spitalin Rajonal të Durrësit.

Në garë morën pjesë edhe 5 kompani të tjera, të cilat edhe pse u futën në garë nuk bënë ofertë për të fituar kontratën dhe nuk kishin asnjë dokumentacion për të dorëzuar.

Sipas Open Data Albania, gara është shënuar me flamur të kuq pasi nuk kemi asnjë ofertë nga kompanitë e tjera, ku qartazi kemi një tender fiktiv.

Megjithatë ish-ministri Beqaj nuk do të ndalej me kaq, pasi në tetor të 2016 do të hapte tenderin për furnizimin me materiale mjekësore për ortopedinë në disa spitale rajonale me fond limit 1 milion euro.

Tenderi i dytë ishte një fotokopje e tenderit të parë, ku gara do të fitohej përsëri nga bashkimi i kompanive “TRIMED” dhe “Layo” shpk. Në tender ishin po të njëjtat kompani që konkurruan herën e fundit dhe përsëri nuk bënë ofertë ekonomike, duke ofruar përforcuar dyshimet për tender me fitues të paracaktuar.

Pavarësisht ndryshimit të ministrave apo të drejtorëve të qendrave spitalore, kompanitë që marrin tenderat duke shkelur ligjin e Prokurimit Publik janë pothuajse të njëjtat.

Por kush i fiton tenderat e protezave ortopedike?

Kompania kryesore fituese e këtyre tenderave është “Trimed” sh.p.k, e cila zotëron 20% të aksioneve nga koncesionari i Check-Up. Ish-ministri Ilir Beqaj ka qenë në shenjestër për këtë koncesion dhe është përpjekur ta mbrojë atë me argumentin se kompania private ka kryer investime, që buxheti i shtetit nuk kishte mundësinë t’i bënte.

“Konçesioni tjetër në Shëndetësi është ai i Check-Up dhe aty SPAK-u po heton, edhe pse financimet, shteti nuk i vonon kurrë pagesat, dmth për këtë koncesion. Nga ana tjetër, KLSH-ja ka gjetur që ka analiza të pakryera, dmth që tjetër gjë deklaron koncesionari dhe tjetër gjë paguan qeveria”, shprehet Klodian Muço, ekspert ekonomie.

Aktualisht kontrata e koncesionit të Check-Up është nën hetim nga SPAK, ashtu si pjesa tjetër e koncesioneve në Shëndetësi të firmosura nga ish-ministri Ilir Beqaj dhe zëvendësi i tij.

“Ne paguajmë shumë më tepër nga xhepi se sa paguajnë shtetet e tjera. Për çfarë arsye? Sepse thjesht buxheti është i ulët që në fillim dhe këto pak para shkojnë shumë në xhepat e koncesionarëve dhe nuk shkojnë në shërbimet që u nevojiten njerëzve”, thotë mjeku Ilir Alimehmeti.

Në tetor të vitit 2022, Spitali i Traumës do të mbante tenderin për implante ortopedike me fond limit 354 milionë lekë ose 3.5 milionë euro. Në ndryshim nga herët e tjera, përveç bashkimit të përhershëm të operatorëve “TRIMED” dhe “Layo” sh.p.k, në garë do të kualifikohesh edhe kompania “Orthonet” shpk, në pronësi të Kira Camit dhe Floresha Haxhimemini. Kompania tjetër “CFO PHARMA” sh.p.k do të skualifikohej për mosplotësim të kushteve të kërkuara nga institucioni.

Në këtë rast, “Vetting” ka zbuluar se njëra nga kompanitë fituese “Layo” shpk, nuk plotësonte kriteret për kualifikimin në tender. Rrjedhimisht nga ky fakt duhej të skualifikohej edhe kompania “TRIMED”, por SUT ka finalizuar tenderin pa patur parasysh ligjin e Prokurimeve Publike.

Informacioni i siguruar nga “Vetting” konfirmohet edhe nga raporti i Kontrollit të Lartë të, i cili ngarkon me përgjegjësi hartuesit e dokumentave specifike dhe titullaren Edlira Bode.

“Në kushte kur Operatori Ekonomik “Layo” shpk., pjesë e Bashkimit të Operatorëve EKononomikë nuk përmbush kriteret për kualifikim, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave duhej ta kishte skualifikuar BOE.

Për sa më lart, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka vepruar duke favorizuar BOE edhe pse në kushtet e skualifikimit. Grupi i auditimit të KLSH vlerën 353 milionë Lekë të kontratës së lidhur me BOE “T.&L.” e konsideron përdorim pa efektivitet te buxhetit të Spitalit Universitar të Traumës”, thuhet në raportin e KLSH.

KLSH ka rekomanduar që Drejtoresha Bode t’i kushtojë vëmendjen e duhur procesit të hartimit të kërkesave për kualifikim nga stafi i punës, duke e ngarkuar me përgjegjësi këtë të fundit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb