Partizani pas humbjes një javë më parë në kryeqytet është mundur edhe në ndeshjen e kthimit në Slloveni nga skuadra e Mariborit. Në takimin e vlefshëm për turin e parë të “Europa League” dhe të zhvilluar në stadiumin “Ljudski vrt” të kuqtë janë mposhtur me rezultatin e pastër 2-0.

Partizani e nis takimin me mjaft dëshirë, duke u mbrojtur dhe duke kundërsulmuar shpeshherë. Para se të pësonte golin e parë pati 2 raste të pastra për shënim, madje goditi edhe shtyllën.

Gjithsesi vendasit në minutën e 31-t zhbllokuan rezultatin, me Dervisevic i cili mposhti Alban Hoxhën nga jashtë zone. Kaq për t’u evidentuar në pjesën e parë,m ndërsa në fraksionin e dytë të lojës ishtë po e njëjta ‘muzikë’.

Abdurrahimi do të godiste traversën në minutën e 70-t, por goli i Partizanit duket ende larg, pasi topi largohet drejt këndores. Pak para fundit të takimit, në minutën e 3-t shtesë të kohës së rregullt Maribor do të vuloste përfundimisht takimin, me Taveres që shënoi golin e dytë.

Në këtë mënyrë Partizani eliminohet nga “Europa League”, që duhet theksuar që përballë pati një skuadër mjaft të fortë e cila sezonin e kaluar ishte në grupe të “Champions League”.

Maribor 1-0 Partizani

Komenti i ndeshjes

90+4′ Përfundon takimi

90+3′ tavares shënon golin e dytë, Maribor vulos takimin

70′ I pafat Partizani, Abdurrahimi doget traversën nga goditja e dënimit, por topi nuk shkon në rrjetë

66′ Tjetër ndryshim në radhët e Partizanit, Kalari futet në fushën e lojës në vend të Prognit.

59′ Zahoviç dhe Mlakar kombinojnë njëri me tjetrin, por Hoxha arrin të zërë rrezen e portës për t’u mohuar golin e dytë.

58′ Pas zhvillimit të një goditje nga këndi, Shuler i afrohet golit kur pas një devijimi godet traversën e portës së Partizanit.

56′ Bardhi i lë vendin në fushën e lojës Abdurrahimit.

55′ Aksion nga e majta i Bardhit, i cili vonohet shumë dhe humb kohën për të harkuar në zonë duke shpërdoruar një mundësi të mirë për të rrezikuar katërkëndorin e Maribor.

51′ Dy skuadrat luajnë shumë më ngadalë se në pjesën e parë, duke dueluar në mesfushë dhe duke u kujdesur që të mbajnë sa më larg portës së tyre kundërshtarët.

45’+1′ Mbyllet pjesa e parë e parë më fitoren minimale 1-0 të Mariborit.

45′ Jepet një minutë shtesë.

42′ Bardhi dhe Mala mundohen të kombinojnë në krahun e djathtë, por mbrojtja vendase këtë herë tregohet e kujdesshme dhe nuk i lejon të nisin harkime të rrezikshme drejt zonës.

37′ Tani ritmi është më i ulët, pasi sllovenët kanë shënuar një gol sigurie, ndërsa edhe Partizani ka pësuar një goditje psikologjike në momentin kur dukej se mund të shënonte.

31′ Dervisevic ndëshkon Partizanin. Vështirësohet shumë kualifikimi i të kuqve

28′ Vazhdon dominimi i Partizanit, që fiton goditje dënimi dhe nga këndi radhazi. Në një tjetër goditje këndi, është Atanda që provon përsëri portën me një goditje me kokë, por topi përfundon në duart e portierit të sllovenëve.

24′ Goditje nga këndi në krahun e djathtë për Partizanin, Asani harkon në zonë por aty Gojkoviç nuk arrin të godasë me forcë drejt portës kundërshtare.

21′ Goditje dënimi për Partizanin në pozicion ballor, ekzekutimin e saj e merr përsipër Telushi i cili gjuan shumë lart mbi traversë.

19′ Tjetër mundësi e mirë për Partizanin, një top i gjatë drejt zonës nuk devijohet dot nga Bardhi i cili i gjendej i vetëm përballë portierit kundërshtar.

17′ I pafat Partizani! Pas një goditje nga këndi, Atanda godet traversën e portës kundërshtare.

13′ Tjetër moment i rrezikshëm para portës së Partizanit, Vrhovec del në ndihmë të sulmit por i vetëm para Hoxhës nuk arrin të kthejë sferën në rrjetë.

11′ Rreziku i parë në portën e Partizanit, Hoxha zgjidh një situatë të vështirë me një grushtim para se Zahoviç të vihej në kontroll të topit ndërsa fiton edhe një faull pas përplasjes me sulmuesin.

7′ Minuta të qetë në fillimin e ndeshjes, me vendasit të cilët nuk arrijnë të vënë në vështirësi prapavijën e kuqe, ndërsa skuadra shqiptare bën presing të lartë për të mos lejuar ekipin kundërshtar që të nisë me qetësi manovrën sulmuese.

1′ Ka nisur takimi

Partizani do të tentojë të bëjë mrekullinë sonte në Slloveni në ndeshjen e kthimit të “Europa League” kundër Mariborit.

Sfida në Tiranë para 1 jave përfundoi me fitoren minimale të vendasve, 0-1, por pavarësisht këtij fakti sipas trajnerit Gega, Partizani do të bëjë të pamundurën për t’ia dalë.

Ndërkohë janë publikuar edhe formacionet zyrtare. Skuadra shqiptare do të luajë me formacionin 4-5-1, me Trashin që ka zënë vendin e Kalarit në të majtë të mbrojtjes.

Ndërkohë nga minuta e parë në këtë takim do të luajë Jurgen Bardhi.

Maribor-Partizani Ora 20:15

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb