NGA ORNELA MANJANI
Abuzimet me rimbursimin e ilaçeve kanë kapur shifrën e 1.6 miliardë lekëve. Janë 80.123 receta fiktive përmes të cilave janë “vjedhur” paratë nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Shuma e vjedhur dhe si funksiononte skema për marrjen e parave nga Fondi janë zbardhur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ka kryer një auditim për vitin 2015.

Skema e vjedhjes
Kontrolli i Lartë i Shtetit bën të ditur se, nisur nga fakti që jo çdo recetë e deklaruar nga rrjeti farmaceutik në programin e-farmacia është detyrim për t’u regjistruar e më tej rimbursuar, janë konstatuar diferenca ndërmjet recetave me rimbursim të vetëdeklaruara në programin e-farmacia dhe recetave fizike të regjistruara në sistemin e recetave.

“Në program janë evidentuar raste të recetave që nuk kanë mjekë me statusin ‘Pranuar’, në total 80.123 rekorde. Në program janë evidentuar raste të hyrjeve të farmacive nga furnitorë që iu ka mbaruar kontrata me FSDKSH-në, me statusin ‘Pranuar’, në total 321.042 rekorde. Në program janë evidentuar raste të faturave hyrëse me minus (pra kthime) dhe statusin ‘Pranuar’ të farmacive nga furnitorë që iu ka mbaruar kontrata me FSDKSH-në, në total 1.253 rekorde. Edhe në këtë sistem nuk ka asnjë gjurmë të sistemimit të veprimeve të regjistruara gabim, duke mbartur ngjarjet njëra pas tjetrës”, thuhet në raport.
KLSH per ilacet, raporti

Problematikat
Kontrolli i Lartë bën të ditur se depot farmaceutike rezultojnë ta kenë mbyllur vitin 2015 (dhjetor 2015) me gjendje negative për 14 barna të rimbursueshme në shumën 1,086,307 mijë lekë, çka do të thotë që, referuar të dhënave të sistemit, janë deklaruar shitje të barnave drejt rrjetit të hapur farmaceutik më shumë sesa deklarimi në hyrje i tyre. Sipas KLSH-së, nga përpunimi i të dhënave është konstatuar se në 10 raste, në bilancin shitje, konsum, gjendje të barnave të rimbursuara, rezulton një diferencë, ku vlera e rimbursuar është më e madhe se vlera e barnave të shitura nga depot dhe rrjeti farmaceutik me 541,192 mijë lekë.

“Në 16 raste janë regjistruar shitje me minus, të cilat rezultojnë të jenë kthime të barnave nga Qendrat Spitalore në drejtim të depove farmaceutike brenda datës së skadencës në shumën 7,731 mijë lekë, për barna si Ketosteril, Mircera syringe, Renvela, Zelboraf etj., me argumentimin e nevojës për barna të tjera. Regjistrohen fatura shitjeje, kur sasia e barnave në faturë është më e madhe se gjendja e tyre, si dhe nuk regjistrohen të dhëna për barnat që shkojnë te subjektet që nuk kanë kontratë me FSDKSH-në për depo apo farmaci”, thuhet në raportin e KLSH-së. Sipas raportit të auditimit, nuk ekzistojnë kontrolle për sasinë e barit që subjekti blen dhe sasinë po për të njëjtin bar që i njëjti subjekt kthen, ku kthimi i tij regjistrohet si shitje me minus.

“Nuk rezulton të jetë bërë ndonjëherë gjatë vitit 2015 automatikisht apo manualisht kryqëzimi i të dhënave për hyrjet e barnave që depot deklarojnë, me të njëjtin informacion që ka Agjencia e Kontrollit të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM)”, thuhet në raport.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: