NGA: VASIL KURETA
Ka pritshmëri tepër të lartë shfaqja konkrete e përmbajtjes së tezës kryesore të presidentit të SHBA Trump “America First”, sa i përket politikës së jashtme të SHBA dhe rolit të saj në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Natyrisht, që politika është në thelb interes, por pritshmëria e konkretizimit të politikës së jashtme dhe se si do pozicionohet SHBA ndaj një ndryshimi real të rendit botëror, ka rëndësi të veçantë për SHBA, por edhe përtej saj, sepse ka qenë dhe është superfuqia botërore që ka kontribuar maksimalisht në garantimin e stabilitetit të rendit botëror dhe përballimin e krizave, sfidave të mprehta e të vështira dhe problemeve komplekse globale. Deri më sot, SHBA ka udhëhequr në këtë sistem të marrëdhënieve ndërkombëtare me potencialin e saj tepër të madh ekonomik, ushtarak, teknologjik e inovativ, përvojën, ekspertizën e përgjegjshmërinë e lartë në garantimin e paqes e sigurinë në botë. Natyrisht, që SHBA do të vazhdojë t’i zhvillojë kontributet e përgjegjësitë e saj, por, gjithsesi pritet konkretizimi, se si do të akomodohet ajo përmes kësaj teze në kushtet kur pas një periudhe të gjatë, pas rrëzimit të komunizmit, SHBA ishte e vetmja superfuqi botërore, që kontribuoi maksimalisht për paqen e zhvillimin, që kërkoi dhe harmonizoi kontributet e aktorëve e faktorëve të tjerë të rëndësishëm.

Por një ndryshim real tashmë ka ndodhur, sepse realisht Rusia ka dalë me një lloj prepotence në pozicionin e një superfuqie, e etur për rol në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, që do të synojë tashmë një marrëdhënie të re me SHBA. Rusia u imponua realisht në këtë pozicion, prandaj ka interes të shihet se si do të formësohet përmbajtja e re e marrëdhënies mes tyre. Kuptohet, se në këto kushte, dialogu mes tyre pritet me interes tepër të veçantë, kur sfidat e sigurisë e stabilitetit janë bërë komplekse e tepër të vështira e të rrezikshme. Rusia nuk mund te mos ketë mirëpritur pohimin e presidentit amerikan Trump për marrëdhënie të mira me Rusinë, por, gjithashtu, nuk mund te mos i ketë tërhequr vëmendjen teza “Amerika First”, sepse tashmë ajo, duke e konsideruar marrëdhënien, që aplikoi presidenti Obama si të papranueshme, do të jetë e vëmendshme të shohë se si mund të ndryshojë sjelljen ndaj Rusisë presidenti i ri amerikan. Kuptohet që tashmë Rusia nuk mund të jetë si në pozicionin e mëparshëm, por të paktën do kërkojë të jetë e barabartë me të edhe pse do të insistojë të mbrojë maksimalisht interesat e saj dhe ambiciet në rolin që do të mundësojë në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Kuptohet që interesat amerikane do të definojnë apo udhëheqin sjelljen, qëndrimin dhe rolin e SHBA në zhvillimet botërore e do të përcaktohet pozicioni i saj në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në një farë kuptimi nuk duket se ka ndonjë ndryshim thelbësor, sepse, edhe në dy mandatet e presidentit Obama, ishin interesat amerikane ato që udhëhoqën e përcaktuan qëndrimet e rolin e SHBA në politikën e jashtme.

Përmbajtja e modeli i rendit botëror në erën Obama, u karakterizua nga fakti, që SHBA ishte superfuqia e vetme botërore, që kërkoi bashkëpunimin e kontributin e aktorëve të tjerë ndërkombëtarë, në përballimin e sfidave të sigurisë e stabilitetit të rendit botëror e përballimin e krizave e problemeve globale. U krijua dhe u formësua një përmbajtje dialogimi e bashkëpunimi, që u sendërtua në marrëveshje, traktate e vendimmarrje, të diskutuara e dialoguara si dhe përmes formateve dypalëshe e të llojit G8 e G20, apo të diskutimit në organizma ndërkombëtarë si OKB e Këshilli i Sigurimit etj. Megjithatë në proces e sidomos në përfundim të mandatit të presidentit Obama u evidentua qartë një mospranim nga Rusia i pozicionit që i ofroi SHBA për bashkëpunim, si superfuqia e vetme dhe erdhi duke e definuar kundërshtimin e saj, përmes qëndrimeve e veprimeve konkrete, që dëshmuan qartë synimin e ndarjes së fuqisë e rivalitetin e saj me SHBA. Pas krizës gjeorgjiane, aneksimit të Krimesë e konfliktit në Ukrainë, që detyruan SHBA dhe BE të adresonin sanksione ekonomike, si pasojë e shkeljes së ligjit ndërkombëtar nga Rusia, që dëshmoi se, edhe nuk i njihte kufijtë e Europës, por dhe se kërkonte ndarjen e fuqisë dhe rolit në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, u pa qartë se “kryengritja” ruse synonte ndryshimin e statusit të saj në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, por edhe të modelit të rendit botëror, apo që nuk e pranonte më modelin e rendit liberal.

Nuk mund të mos identifikohet fakti që, Kina, edhe pse fuqia e dytë më e madhe ekonomike në botë, me rritjen ekonomike të stabilizuar më të lartën në botë, me popullsinë më të madhe e resurse tepër të mëdha ekonomike zhvillimi, por dhe shkencore e teknologjike etj., nuk bëri “kryengritje” ose refuzim të pozicionit që mori në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, përkundrazi u shfaq bashkëpunuese e për dialogun konstruktiv, duke mundësuar edhe një rol konkret të saj aziatik, që u shoqërua edhe me një entuziazëm të presidentit Xi Ping, që deklaroi se do të investonte shuma të mëdha në infrastrukturën e këtij rajoni. Megjithatë, Kina e kuptonte se ishte një ofertë, në kushtet kur SHBA ndjente efektet e krizës ekonomike botërore, por në këtë mënyrë mbante nën kontroll aleancën dyshe Rusi-Kinë, që zhvillohej edhe në formate të organizmave euroaziatike, të krijuara nga Rusia, por sidomos në formatin e BRIKS.SHBA llogariste mirë, se deri ku bashkoheshin interesat mes Rusisë e Kinës e ku ndaheshin qartë e prerë. Nga ana e saj Kinës ky hap i interesonte në avancimin e ambicieve të superfuqisë, duke mbajtur marrëdhënie të afërta me Rusinë, që ishin në një farë mënyre rivalizuesit e vërtetë ndaj SHBA, që shfaqej edhe në vendosjen e vetove në Këshillin e Sigurimit ndaj nisiativave amerikane e perëndimore. Marrëdhënia mes tyre shfrytëzohej në funksion të një trysnie ndaj SHBA, në përpjekjet për të rivalizuar e ndarë fuqinë me të.

SHBA, në definimin e një qëndrimi të diferencuar ndaj Kinës, synonte që të mos forcohej më tej aleanca e kundërshtimi ndaj SHBA. Këtu SHBA llogariste edhe problemet mes tyre, përfshi dhe atë kufitar, por edhe faktin se midis tyre kishte një garë për t’u afirmuar i pari si superfuqi botërore. Gjithashtu, SHBA mbante parasysh përmbajtjen dhe objektivat e strategjisë kineze për standardet që duheshin për të siguruar statusin e superfuqisë, që nga koha e Maos e Tenit, sendërtuar në programin e “katër modernizimeve”, ku Tajvani përbën element thelbësor të strategjisë. Në funksion të strategjisë së superfuqisë Kina llogariste dhe interesin e Rusisë për rol në Azi e Paqësor, prandaj bënte gjithçka që ta pengonte. Sepse e kuptonte këtë rivalitet ,prandaj dhe SHBA mundësoi një rol konkret të Kinës në Azi, por jo në Paqësor. Pikërisht, në funksion të sigurimit të një roli në Paqësor u shfaq intensifikimi i veprimtarisë së Kinës, me krijimin e militarizimin e ishujve artificialë, të kontestuar nga shumë vende fqinjë në këtë rajon, por dhe me një demonstrim force ushtarake përballë SHBA në paqësor, që dëshmonin edhe synimin e saj në zhvillim, jo vetëm për një rol konkret fuqie në paqësor, por dhe për ndarje të fuqisë e rolit e rivalitetit të saj me SHBA. Gjithsesi, Kina u tregua e përmbajtur dhe bashkëpunuese dhe e pozicionuar jo nga konfrontimi, por dialogu. Këtë pozicionim për dialog e bashkëpunim në përballimin e sfidave ndërkombëtare presidenti kinez Xin Ping e theksoi edhe në fjalën e tij në samitin e fundit të Davosit.

Ky pozicionim i Kinës do të definojë maksimalisht cilësinë e qëndrimit të saj ndaj zhvillimeve ndërkombëtare. Rusia eci në rrugën e plotësimit të standardeve të domosdoshme për statusin e superfuqisë botërore, duke siguruar një partneritet NATO-Rusi e marrëdhënie “konstruktive” apo më pak kundërshtuese ndaj SHBA, por edhe duke mbajtur marrëdhënie të afërta me Kinën. Këtë qëndrim Rusia e llogariti edhe për t’i bërë trysni SHBA, por edhe për të mbajtur nën kontroll lëvizjet e Kinës, me qëllim që të ishte Rusia e para në sigurimin e statusit të superfuqisë botërore. Rusia zhvilloi një strategji komplekse për të përçarë perëndimin, për të ndarë SHBA nga BE, që kështu e dobësonte shumë pozicionin e SHBA e për të siguruar një rol në hapësirën europiane. Putini llogariti mirë një dobësim real të rolit të SHBA apo tërheqje në zhvillimet botërore si në krizën në Irak, Siri etj. edhe nga efektet e krizës botërore ekonomike e financiare, që stimuloi ngutjen me daljen me demonstrim të forcës ushtarake në krizën siriane, që në fakt afirmoi rolin e Rusisë si superfuqi botërore. Teza e presidentit Trump “America First”, në një farë kuptimi nuk doli rastësisht, por si reflektim i zhvillimeve më të fundit, sidomos nga fundi i presidencës Obama, që me sa duket nuk ka synim tërheqjen e SHBA nga pozicioni e roli i saj në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, por përkundrazi për të forcuar rolin e SHBA, duke kryer koregjimet përkatëse dhe përshtatjen në kushtet konkrete, kur Rusia tashmë ka pozicionin e superfuqisë. Presidenti Trump me këtë tezë dhe kërkesën për marrëdhënie të reja më Rusinë, në një farë mënyre, synon të tregojë se tashmë ka ardhur momenti për ta mbushur marrëdhënien me Rusinë ,duke mbajtur parasysh realitetet e krijuara, jo përmes imponimit, por dialogut direkt. Po kështu, përmes kësaj rruge shtensionohen marrëdhëniet me Rusinë që u ritën më tej pas sanksioneve ekonomike për shkak të aneksimit të Krimesë e konfliktit në Ukrainë, që u vlerësuan si shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Teza “America First” dëshmon thelbin e qëndrimit të SHBA në politikën e jashtme e marrëdhëniet me aktorët kryesorë si Rusia dhe Kina, por edhe standardet e pozicionimit të rolit të SHBA. Në se mbajmë parasysh deklarimet e para të Presidentit Trump, sa i përket Rusisë dhe Kinës, ku nuk nënvizoi asnjë kusht për Rusinë, duket se respekton faktin e kryer për Rusinë. Brenda këtij qëndrimi shihet edhe synimi për t’i mbajtur në një farë kuptimi të ndarë Kinën e Rusinë me qëllim që ta markojë më mirë në rivalizimin që ajo do të realizojë. Kjo për faktin se potencialet komplekse të njohura të Kinës do të mundësojnë një rivalitet në rritje dhe më të fuqishëm se ai i realizuar nga Rusia. Me sa duket mendohet se kështu mund të ruhen më mirë ekuilibrat mes tyre dhe në zhvillimet ndërkombëtare, aq më tepër që Kina shfaqet konstruktive. Ky “afrim”amerikano-rus nuk do t’i pëlqejë Kinës, por do të mundësojë që Rusia dhe Kina të jenë më pak aleatë mes tyre e më shumë rivalizues. Në këtë mënyrë modeli i marrëdhënieve ndërkombëtare, i rendit botëror do të pësojë ndryshime nga ku afrimet dhe ndarjet në interesa konkrete mes kësaj treshe ndërkombëtare, do të definojnë cilësinë e zhvillimeve ndërkombëtare e të rendit botëror. Me këtë tezë “Amerika First” e lëvizjet, që po kryen në fillim presidencën Trump, SHBA po shfaqet jo si perëndimi i bashkuar, teksa po hap rrugën e marrëdhënieve dypalëshe me vendet e BE, që i pëlqen shumë Rusisë dhe do ndihmojë në shtratimin e marrëdhënieve amerikano ruse. Natyrisht, që pritet një reagim nga BE, që duket se ndaj tij do të ketë shumë interes bashkëpunimi nga aktorët kryesorë ndërkombëtarë. Gjithsesi, interes të veçantë ka reagimi i Rusisë ndaj çfarë ka ofruar presidenti amerikan. Po kështu, Rusia nuk mund të mos reflektojë mirë ndaj kësaj teze të presidentit Trump, sepse pozicionimi i ri i saj në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare kërkon konkretizim të të qenit të barabartë në realitetin e multipolaritetit, që do të thotë se do të parashtrojë vizionin e kërkesat konkrete. Me siguri, që në shtratimin e marrëdhënieve të reja, do të diskutohen edhe sanksionet, por edhe ambiciet gjeostrategjike të Rusisë, e cila deri më sot, në një farë mënyre i ka qartësuar shumë prej tyre. Dhe nuk ka munguar dhe një reagim i Rusisë, përmes një fjalimi e përgjigje pyetjesh të Lavrovit në një sesion të Dumës së Rusisë më 25 janar 2017.Pritej që Rusia të përgjigjej me opsionin e vënies së interesave të Rusisë në plan të parë.

Sipas Lavrov vizioni i Rusisë pasqyrohet në konceptin e përditësuar të politikës së jashtme, të miratuar nga Putin në nëntor 2016.”Mbështetur në të drejtën ndërkombëtare dhe rolin qendror të luajtur nga Kombet e Bashkuara dhe Këshilli i Sigurimit- ka nënvizuar Lavrov, koncepti thekson pjesëmarrjen proaktive të Rusisë dhe Bjellorusisë, të EAEU, CSTO,CIS,BRICS,SCO dhe G20, duke përcaktuar vazhdimësinë në parimet themelore të tilla si angazhimin e Rusisë në politikën pragmatiste, të pavarur dhe një politike të jashtme shumëdimensionale, që kanë provuar të jenë të efektshme. Pjesa më e madhe e Komunitetit Ndërkombëtar bën thirrje për të bërë jetën ndërkombëtare më demokratike. Kjo shpjegon mbështetjen në rritje për qasjet jo ideologjike në punën shumë palëshe dhe kolektive të propozuar nga Rusia. Një numër në rritje i vendeve e shohin Rusinë si garant të stabilitetit dhe si qendër tërheqëse, për ata që duan të zgjedhin të ardhmen e tyre. Diplomacia ruse vazhdon të mbrojë interesat e Rusisë dhe për të krijuar kushte të jashtme më të favorshme të mundshme për të garantuar sigurinë dhe nxitjen e zhvillimit të saj dhe prosperitetin e qytetarëve të saj.

Ky është një prioritet absolut për ne. “Siç shihet vjen nga Rusia një përgjigje e qartë për dialogun me SHBA në shtratimin e marrëdhënieve të reja mes tyre. Lavrovi është kujdesur të tregojë se çfarë nuk ka funksionuar deri më sot, duke nënvizuar se ka pasur tendosje të marrëdhënieve ndërkombëtare, ngarkesë të lartë mosbesimi etj., që sipas tij ka ardhur nga përpjekja e aplikimit të teorisë së hegjemonizimit të botës njëpolare, që kërkonte ruajtjen e dominimit global. Në këtë kontekst Lavrov ka evidentuar edhe atë që e quan një imponim kudo e ndaj kujtdo të atyre që i quan vlera pseudoliberale, që nënkupton si duket vlerat perëndimore. Kjo sjellje sipas tij nuk ka marrë parasysh pluralizmin e kulturave dhe civilizimeve të ndryshme në botën bashkëkohore. Madje, sipas tij parime si vetëvendosja apo të drejtat e njeriut janë shpërdoruar me cinizëm apo edhe për të mbuluar ekspansionin politik dhe ekonomik. Pas këtyre vlerësimeve akuzë Lavrov konstaton rishpërndarjen e fuqisë ekonomike e për rrjedhojë edhe të influencës politike si dhe se po zhvillohet procesi i një sistemi të qëndrueshëm policentrist. Ai këtë sistem e konsideron realitet objektiv. siç shihet tashmë Rusia ka shfaqur vizionin e saj dhe pritet reagimi amerikan e zhvillimi i dialogut konkret në të ardhmen mes SHBA dhe Rusisë, që nuk mund të mos ketë interes të madh në shumë plane.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb