NGA ARTAN SHYTI

I nderuar Drejtor, Ju falënderoj për nxitimin për të m’u përgjigjur. Kjo më dha mundësinë të kuptoj rolin tuaj në këtë çështje Nga kjo përgjigje unë po marr atë që është esenciale, fillimisht, duke lënë mënjanë, për momentin, pjesën që merret me opinionet tuaja personale. Në kërkesat tona dhe në letrën e hapur, në asnjë rast nuk është ngritur pretendimi që veprimi fatkeq i rektorit të dekretuar, i kryer në vitin 1994, është i tillë sa ta penalizojë me mosdekretim. Ajo që është kërkuar me shkrim, me komunikim verbal, dhe që po e përsëris edhe një herë tani, është fakti i qartë dhe i pamohueshëm që ligji i dekriminalizimit, ose ligji nr. 138, miratuar nga Parlamenti në datën 15.12.2015, në nenin 5, pika 3, thotë qartë që deklarimi i shtrembër apo i rremë dënohet sipas nenit 190 të Kodit Penal. Pra ne kemi ngritur pretendimin që është shkelur kjo pikë e nenit 5 të këtij ligji.

Në këtë situatë: 1. nëse ju thoni që kandidati e ka bërë atë dënim prej 8 muajsh burg, pasi ka shkelur Kodin Rrugor me pasojë vdekjen e një personi, siç del edhe nga përgjigjja juaj, 2. nëse është e qartë që nuk e ka deklaruar në Formularin e Vetëdeklarimit, siç vërtetohet nga uebsajti i Presidencës, 3. nëse ligji 138, neni 5, pika 3, thotë që, kush bën deklarim të rremë ose e shtrembëron atë, është subjekt i dënueshëm nga Kodi Penal, neni 190, 4. nëse Kodi Penal, neni 190, thotë që deklarimi i rremë apo shtrembërimi i deklarimit është një vepër penale Pra në vijim të sa parashtrova më sipër, a mundet ju t’iu përgjigjeni pyetjeve? 1. A është kërkesë ligjore plotësimi i saktë i Formularit të Vetëdeklarimit? 2. A e ka shkelur ligjin ky kandidat duke bërë deklarim të rremë? E përsëris, ligjin 138, datë 15.12.2015, neni 5, pika 3. 3. Nëse e ka shkelur këtë ligj, a mjafton kjo për të mos e dekretuar? 4. A nuk duhej që presidenti ta anulonte këtë dekretim dhe të kërkonte sqarimin gjyqësor të kësaj situate? 5. A është rasti i rektorit, i njëjtë me atë të kryetarit të Bashkisë së Kavajës, i cili, megjithëse mori votat e pothuajse gjithë qytetit, vazhdon të jetë në ndjekje penale, dhe deri dje në arrest shtëpie, për të njëjtën arsye, pra për mosdeklarim të saktë në Formularin e Vetëdeklarimit?

Si drejtor i kabinetit të institucionit më të lartë në vend, nuk mund e nuk duhet të transformosh problemin, pasi kjo nuk ndihmon askënd. Kjo vetëm tregon pozicionimin tuaj personal për arsye që nuk besoj se lidhen me mosnjohjen e ligjit…dhe që duket se, fatkeqësisht, paskan ndikuar edhe në pozicionin zyrtar të Presidencës. Ndaj, po Ju përsëris bindjen time, që dekretimi i Rektorit të UST në 03.10.2016 shkel hapur Ligjin 138, datë 15.12.2016, në nenin 5, pikën 3. Dhe, kush e ka bindur Presidentin ta firmosë atë dekret, ka abuzuar, me ose pa dashje, me detyrën. Me respekt për institucionin ku punoni, Prof. Dr. Artan Shyti P.S. Tani po të drejtohem personalisht, me pak rreshta, sepse unë e kam këtë të drejtë, ndërsa ti z. Ols nuk mund ta kesh, megjithëse guxon ta bësh, për aq kohë sa shënon nën emrin tënd pozicionin zyrtar të drejtorit të kabinetit të institucionit të Presidencës.

Duke qenë se nuk të njoh personalisht, por nga CV-ja jote në uebsajtin e Presidencës informohem që ke një formim universitar me një diplomë për arkeologji dhe një master për arte klasike, unë me siguri besoj se ti ke aftësi të tjera të spikatura personale që bëjnë të mundur që, pavarësisht nga formimi universitar, të jesh sot Drejtor i Kabinetit të Presidentit të Republikës. Por, meqenëse emri yt nuk më thotë shumë, dhe meqenëse vitet e moshës tënde janë njësoj sa vitet e karrierës sime “si edukator e trajnues i brezit të ri” dhe drejtues i sportit në të gjitha nivelet, nga pedagog e deri zv.ministër, dhe për më tepër duke qenë se nuk më njeh personalisht, të garantoj publikisht që deklarimi yt për aftësitë e mia të pamjaftueshme morale e profesionale për të qenë “edukator e trajnues i brezit të ri” do të gjente shumë pak konsensus mes atyre që më njohin.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: