SHBA- Për shumë amerikanë që nuk duan të përjetojnë një presidencë të udhëhequr nga Donald Trump, ekziston edhe një opsion, sado vështirë i realizueshëm të jetë ai. Hillary Clinton ka fituar shumicën e votës popullore. Rezultati final tregon që ajo mori 200,000 vota më shumë se Donald Trump, ndonëse zgjedhja e këtij të fundit u bë për shkak të votave elektorale.

Sipas Kushtetutës amerikane, Kolegji Elektoral është institucioni përfundimtar që do të votojë për presidentin. Ata duhet ta bëjnë këtë më 19 dhjetor, në kryeqytetet e shteteve federale. Asgjë nuk i ndalon anëtarët e këtij kolegji që të refuzojnë të përkrahin kandidatin që ka fituar në bazë të votave elektorale.

Për këtë gjë ka edhe një emërtim – ata mund të bëhen “zgjedhës i pabesë”. Sidoqoftë, kjo vështirë se është e realizueshme, pasi mbi 99% e anëtarëve të këtij kolegji përgjatë historisë amerikane kanë votuar ashtu siç janë zotimet ditën e zgjedhjeve, sipas një analize të gazetës “New York Times”. Ndërkaq, mediat botërore kanë nisur të bëjnë analizën e humbjes së kandidates së djathtë.

‘CNN’ ka theksuar se Hillary Clinton thjesht nuk mundi të mbajë të bashkuar koalicionin që ngriti Barack Obama dhe kjo bëri që humbja e saj të ishte zhgënjyese.

Votuesit afrikano-amerikanë, latinët dhe të rinjtë nuk u paraqitën në vendvotime në një numër të mjaftueshëm të martën për të çuar Clinton në Shtëpinë e Bardhë. Vetëm 65% e latinëve mbështetën Clinton, ndërsa 29% e votave të tyre u hodhën për Trump. Në vitin 2012, Obama fitoi 71% të votave hispanike dhe Romney siguroi vetëm 27%.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb