Nga: BESNIK BAKIU

Para disa ditësh ra në krye të detyrës punonjësi i policisë së Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, inspektor Ardian Kodra. Në këtë humbje kaq tragjike dhe kaq të parakohshme është shumë e vështirë të gjesh fjalët e duhura për mikun, për shokun dhe kolegun e betejave në luftë me krimin, për të siguruar pak më shumë rend e qetësi në këtë Shqipëri hallemadhe, që ka kaluar jo pak trauma stabiliteti në këto 25 vite postdiktaturë.
Vdekja na e mori Ardianin, pabesisht e tinëzisht, kur më shumë se ai për ne, kishim ne më shumë nevojë për të. Këto nuk janë fjalë ngushëlluese në çaste dhimbjeje. Më shumë se fjalët, flasin vepra dhe veprimtaria e inspektor Ardian Kodrës, jo vetëm në Shkodër e Malësi të Madhe, por kudo jetoi e shërbeu.
I dashur Ardian, ti ike fizikisht nga kjo tokë e rrëmujshme, hileqare e zhurmshme. Edhe budallaqe… Thuhet se autori i vrasjes ishte i sëmurë mendor? E kujt i intereson kjo gjë? Nëse është i tillë, shteti ka struktura që paguhen me taksat tona (edhe të mijat, edhe të Ardianit e shokëve tanë) që duhet të përkujdesen dhe izolojnë atë. Pse nuk e benë? Nuk ishte rasti i parë, sa shpejt harruam që para jo më shumë se një muaji, një i sëmurë i tillë i mori jetën në mënyrë makabre një fëmije. Kur do reagojmë e parandalojmë? Kur të na vrasin e terrin të gjithëve?
Eh, miku im. Kot të flas për heroizmat, që ti së bashku me shokët e kolegët e tu keni bërë. Të gjithë në raste vdekjeje kështu flasim. Çfarë të duhen bëmat hileqare të kësaj bote?! Fëmijët duan babanë, nëna do birin, motra të vëllanë, shokët e kolegët duan shokun dhe kolegun. Askush nuk gjen ngushëllim për këtë humbje me faktin se faqet e gazetave dhe kronikat e televizioneve të hapen me ty, pavarësisht se me të drejtë të quajnë dhe bëjnë hero e dëshmor.
As mua nuk më ngushëllojnë këta tituj e ceremonira, pasi u bënë shumë. Numri i punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës është rreth 300 dhe gati po kaq janë të gjymtuar. “A është e nevojshme të kemi kaq shumë të rënë në krye të detyrës”? Ju të paharruarit tanë, ishit njerëz të thjeshtë e të përkushtuar në punë, ishit prindër, ishit bij nënash, ishit vëllezër, ishit shokë e miq të mirë. “Pse kjo shoqëri ju ktheu në Dëshmorë të Atdheut”?
Ndaj, sot, i pafuqishëm për të ndryshuar gjë, nuk më ngelet tjetër veçse të gjej ngushëllim te vargjet e Migjenit “0, si nuk kam një grusht të fortë/ t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë,/ta dij dhe ai se ç’domethanë i dobët – /n’agoni të përdihet si vigan i vramë” dhe të akuzoj (dhe jo vetëm në emrin tim):
politikën, që e bëri krimin e organizuar dhe pandëshkueshmërinë si karakteristika të vazhdueshme të tranzicionit; për fjalorin agresiv në luftën e tyre politike, inkriminimin verbal që i bëjnë njëri-tjetrit për lidhje me trafiqet më të zeza në rajon, mbështetjen që kërkojnë te krimi për të ardhur apo mbajtur pushtetin, për grabitjen që i është bërë pasurisë publike në këtë postdiktaturë, e shumë të tjera, që duhet një natë dimri t’ia numërosh..
Sistemin e drejtësisë, i cili ka tradhtuar me kohë vetë drejtësinë. Është prokuroria që nuk i kopsit mirë çështjet, madje (në jo pak raste) harron edhe elementaren, zbatimin e afateve procedurale. Janë gjykatat, “biznesi” më fitimprurës dhe më i suksesshmi në Shqipërinë postdiktatoriale, ku konvejeri i pashtershëm i gjyqeve, seancave të pafundme, alibive dhe kundëralibive nga avokatë e sekserë të krimit, që përfundojnë në rastin më të mirë me dënimin e butë të tyre, për të riprodhuar cirkuitin e pafund të kërkesave amnistale.
Shoqërinë shqiptare, për mungesën e ndjeshme të kulturës demokratike dhe qytetare, ku kultura ligjzbatuese është shumë e mangët dhe shkelësit e ligjit janë në mazhorancë, ku denoncimi i krimit keqkuptohet si akt spiunimi dhe jo si gjest i pastër qytetar. Megjithëse jemi dëshmitarë të krimit, edhe pse ai gjallon para syve tanë, ne heshtim ose e shumta mbytemi para filxhanit të kafesë apo rakisë në “vajtime private”. Bëjmë kritika dhe presim që dikush tjetër nga jashtë të verë dorën dhe të frenojë krimin. Nuk mund të kemi sukses, pa një reagim qytetar kontestues, dëshirë për ta luftuar atë publikisht dhe frontalisht. Mungesa e përgjegjësisë qytetare dhe indiferentizmi janë aleatë të fortë që ndihmojnë lulëzimin e krimit. Ky është një mësim i madh, që vjen nga vende dhe popuj të qytetëruar, të cilët kanë bashkuar angazhimin qytetar me funksionimin e institucioneve të specializuara në luftën kundër krimit… “Shoqëritë e pacivilizuara prodhojnë më shumë krim”.
Nisur nga ajo që thotë Emil Zolaja, se “nëse e varrosim të vërtetën, ajo do të rritet nën dhe, derisa të shpërthejë duke shkatërruar çdo gjë që i del përpara”, ka ardhur koha (madje mos është vonë) që të shohim përtej ngushtësisë së interesave personale, të ndërgjegjësohemi për përgjegjësinë që mbajmë për veprimet dhe mosveprimet tona. Prandaj dhe unë sot i apeloj: qeverisë, të rrisë vëmendjen ndaj trajtimit të policisë. Megjithëse mbi 2 vite që ka hyrë në fuqi ligji i ri i Policisë së Shtetit, akoma nuk janë miratuar aktet për trajtimin financiar të punonjësit të policisë, procedurat e përfitimit të pushimeve, të drejtat për përfitim kredie me interesa të butë, kompensimin për strehim, sigurimi i jetës, mbrojtja e veçantë, etj.
Personalisht, më kryesorja mendoj se do të ishte miratimi i ligjit për përfitimin e pensionit të parakohshëm suplementar, pensionit të shërbimit, i cili jo vetëm do të krijonte siguri jetese të punonjësit aktual të policisë (të trembur pas çdo rotacioni politik apo ministror), por do të ndikonte në uljen e moshës mesatare të kësaj organizate.
Është për t’u përshëndetur dhe inkurajuar këmbëngulja e ministrit të Brendshëm për t’i kërkuar kryeministrit përmirësimin e trajtimit të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Më vjen të ulëras kur shikoj që kryefajtorëve do t’u rritet ndjeshëm dhe në mënyrë të pajustifikuar, trajtimi ekonomiko-financiar, kurse policët e shkretë do të vazhdojnë në varfërinë e vet dhe të “punësojnë fëmijët edhe në grumbullimin e plehrave”.
Opozitës (duke e mirëkuptuar në luftën politike të saj) që të mos e bëjë policinë target të kësaj lufte.
Kolegëve dhe miqve të mi punonjës policie të duam, mbështesim dhe respektojmë njëri-tjetrin. Çdo organizatë në botë, sidomos ato policore, kanë si parim bazë të ekzistencës tyre, vlerësimin dhe respektin ndaj anëtarëve të vet.
Misioneve të huaja policore (duke qenë mirënjohës për ndihmën e dhënë), të jenë më aktivë dhe konkretë në ndihmën e dhënë dhe të mos përdoren për markimin e gabimeve të politikës ndaj policisë. Të jenë më të drejtpërdrejtë, pasi janë misione policore dhe jo diplomatike.
I bëj këto apele, Ardian edhe në respekt të veprës dhe kujtimit tënd, pasi gjatë gjithë këtyre vite tranzicion, krimi na është bërë pjesë e gjithëpranuar e “suksesit” dhe mjetet kriminale të pasurimit nuk dënohen si të pamoralshme nga shoqëria.
I dashur Ardian, duke më mirëkuptuar për sa thashë më sipër, në këtë kohë dhimbjeje për humbjen tënde, pasi jam i bindur që edhe ti kështu mendoje, dua të them se ne, punonjësit e policisë, të gjithë ndjehemi krenarë për emrin dhe veprën tënde. Ti na le edhe mesazhe të larta qytetarie. Në çdo vend ku shkele, në çdo hap të jetës së tende, kudo, qysh fëmijë e deri në pafundësi, bëre shokë e miq. “Nuk ka trim më të madh e burrë më të mençur se ai që di të bëjë vetëm miq”. T’u preftë shpirti në parajsë, i dashur Ardian!

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb