Nga: Valentina Madani*
Darina Tanushi*

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu do të insistojë në mënyrë të vazhdueshme deri në miratimin e reformës në drejtësi. Në funksion të kësaj, diplomati amerikan ka ndërmarrë takime të veçanta me deputetët të Partisë Demokratike, me qëllim që t’i bindë për miratimin e reformës në drejtësi më datën 21 korrik. Për këtë qëllim, Lu është takuar dje në hotel “Rogner” me deputetin demokrat, Astrit Patozi. Diplomati duket se ka kërkuar mbështetjen personale të ligjvënësit opozitar për reformën në drejtësi, e cila do të votohet më 21 korrik. Pas deklarimit kundër të udhëheqjes së Partisë Demokratike, Uashingtoni u ka bërë thirrje deputetëve t’i binden ndërgjegjes së tyre dhe jo urdhrit të partisë. Kjo është arsyeja që deri më 21 korrik Donald Lu ka planifikuar takime, në të cilat do të mundohet të shpjegojë më informalisht përse një votë pro reformës është në ndihmë të Shqipërisë. Ambasadori Lu mësohet se ka shpërndarë ftesa edhe për deputetë të tjerë opozitarë, të cilët do i takojë në ditët në vazhdim. Prej kohësh ambasadori Lu dhe ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin po zhvillojnë takime me klasën politike shqiptare, me qëllim gjetjen e një konsensusi mes palëve për miratimin e reformës në drejtësi. Por, opozita ka vendosur një kusht të vetëm nga e cila nuk tërhiqet, zbatimin e rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias. Kjo pikë i mban palët të ndara, ndërkohë që mazhoranca nuk e pranon nenin e kërkuar me këmbëngulje nga opozita e djathtë.

FESTA
Ndërkohë, në mbrëmje ambasadori amerikan Donald Lu organizoi një pritje në Pallatin e Brigadave me rastin e festës së SHBA-ve. I veshur me një këmishë bojë qielli me trëndafila të bardhë, Lu kishte hequr dje kostumin zyrtar dhe mirëpriti si zot i shtëpisë politikanë shqiptarë, diplomatë të huaj, të akredituar në Tiranë, përfaqësues të komuniteteve fetare e drejtues të mediave. Të pranishëm në festën e SHBA-ve ishin kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, shoqëruar nga deputetja Monika Kryemadhi; kryetari i opozitës, Lulzim Basha, por nuk mungoi edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka pasur kritika kohët e fundit ndaj ambasadorit Lu.

Në këtë ceremoni mungoi kryeministri Edi Rama, i cili ishte për një vizitë zyrtare në Turqi e pritet të niset për një vizitë në Francë. Por, të pranishëm ishin pothuaj të gjithë ministrat e kabinetet Kodheli, Tahiri, zv/kryeministri Niko Peleshi, kryetari i grupit parlamentar Gramoz Ruçi. Deputeti kritik i PS-së, Ben Blushi duket se e ka komplimentuar ambasadorin Lu për veshjen e zgjedhur, pavarësisht se ai ka qenë i veshur me kostum. Të pranishëm ishin edhe ekspertët e huaj që po asistojnë reformën në drejtësi në Tiranë si dhe kryetari i Komisionit të Posaçëm, Fatmir Xhafaj. Ndërkaq, në fjalën e tij të rastit, ambasadori Donald Lu zgjodhi megjithatë të mos thoshte asgjë për reformën në drejtësi dje. Ai foli për jetën e babait të tij, se si ai zgjodhi SHBA-të për të jetuar dhe për t’u dhënë më të mirën fëmijëve të tij, edhe pse nuk kishte lindur amerikan. “Shumë prej jush e dinë që këtë vit unë humba babain tim. Ai nuk kishte lindur amerikan, por donte të bëhej amerikan për të ndërtuar jetë më të mirë për familjen e tij, ai u rrit në varfëri”, tha Lu. “Ai kishte me vete vetëm 2 mijë dollarë për të studiuar në Universitetin e Oklahomës. Në vend që të përdorte paratë për gjëra të tilla si ushqim dhe veshje, ai i përdori për të blerë një ‘BMË’ të përdorur. Gjatë ditës studionte dhe gjatë natës punonte si barist. Ai nuk ishte kurrë i pasur, por u ofroi fëmijëve të tij mundësitë që ai vetë nuk i kishte pasur kurrë”. Ishin këto fjalët e Lu, duke dashur të japë mesazhin se duhet punuar shumë e investuar për të ardhmen e fëmijëve.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb