Nga: ERMELINDA HOXHAJ*
Pesëdhjetë të rinj shqiptarë që janë në fazën përfundimtare të studimeve në universitetet shtetërore do të kenë mundësi të përfitojnë bursa me vlerë 250 euro në muaj për një periudhë 6-mujore. Kjo falë projektit të University World Service (WUS), i cili veç bursës, do t’u ofrojë këtyre studentëve trajnime për aplikim për punë si dhe për të filluar një biznes të ri (trajnime individuale dhe në grupe). Nëpërmjet një interviste për “GSH”, Eda Terezi, Koordinatore e Projektit për Shqipërinë, ka sqaruar detajet dhe kriteret që duhet të plotësojnë studentët për të aplikuar. Afati i fundit i aplikimit është data 15 shtator 2016. Veç formuarit të aplikimit, të cilin e keni bashkëngjitur shkrimit, sipas Terezit përzgjedhja e studentëve do vendoset nga një intervistë përfundimtare. Ndërkohë që, sa u përket profileve dhe degëve të studimit, ato nuk kanë rëndësi, pasi do pranohen studentë nga çdo lloj fushe studimi. Veç bursës prej 1.500 eurosh në total, për 6 muaj, për këta studentë do ketë edhe shans për punësim në kompanitë aktive gjermane në vendin tonë. “Ne po punojmë me sipërmarrjet gjermane që janë aktive në Shqipëri, për t’u krijuar mundësinë studentëve të përzgjedhur të bëjnë praktikat pranë këtyre firmave”, theksoi koordinatorja e projektit, Eda Terezi. Ky projekt do të realizohet me mbështetjen financiare të Ministrisë së Ekonomisë, Energjisë, Transportit dhe Zhvillimit Rajonal të Hessen-it.

Zonja Terezi, si koordinatore e projektit “World University Service” (WUS) në Shqipëri, mund të na jepni ndonjë detaj të projektit që po startoni në mbështetje të studentëve? Cilat janë kriteret që studentët të bëhen pjesë e këtij projekti?
Së pari dua të them diçka për vetë “World University Service”, të Wiesbandenit në Gjermani, që do të thotë një histori suksesi të tij nëpër botë. “WUS” u themelua me 1920-ën si një “Mbështetje për Studentët Europianë”, pra si një organizatë e anëtarëve të universitetit për të mbështetur njerëzit që punojnë në arsimin e lartë, mësimdhënie dhe të nxënit. “Wold University Service” është një organizatë ndërkombëtare e studentëve dhe mësuesve në sektorin e arsimit dhe është e angazhuar për të drejtat e njeriut për arsimim dhe krijimin e strukturave të veta sociale dhe politike. “WUS” është aktiv në mbi 50 vende të botës. Motoja e tij është: “Kush ka një ide të mirë, duhet gjithashtu ta zbatojë atë”. Këto bursa u adresohen studentëve në fazën përfundimtare të studimeve të tyre, të sapodiplomuarve (tashmë kanë përfunduar studimet) dhe studenteve që do të përfundojnë studimet në vitin 2018. Preferohen aplikante dhe aplikantë me të ardhura të pakta familjare dhe rezultate të mira akademike.

Sa është numri i bursave dhe niveli i pagesës që do ofrohet për studentët fitues?
Numri i bursave që do të jepen për studentët e universiteteve shtetërore shqiptare është 50. Studentët e përzgjedhur do të përfitojnë një mbështetje financiare 6-mujore në vlerën prej 250 eurosh në muaj.

Kur thoni se do favorizohen studentët me të ardhura të pakta familjare, çfarë nënkuptohet? Si do e verifikoni këtë gjë?
Familje me të ardhura të pakta janë ato familje që nuk kanë mundësi financiare për të vazhduar më tej me edukimin e fëmijëve të tyre. P.sh., një familje me 4 anëtarë, ku njëri nga prindërit është pa punë konsiderohet familje e tillë. Në pyetësorin e hartuar nga ana jonë ka disa pyetje përmes së cilave ne do të kuptojmë gjendjen financiare të secilit student. Pastaj, nuk duhet të harrojmë se për studentët do të ketë edhe një intervistë përfundimtare që do të vendosë përzgjedhjen e tyre.

A ka nivel të përcaktuar të notës mesatare për studentët që duan të aplikojnë, apo ndonjë fushë studimi që preferohet?
Ju e dini pak a shumë se çfarë do të thotë notë e mirë, ndoshta mbi 8. Për sa u takon degëve, nuk ka asnjë kufizim. Çdo student i universitetit shtetëror, i çfarëdo dege qoftë, që mendon se plotëson kushtet e mësipërme, ka të drejtë të aplikojë për këtë lloj burse.

Po kriter gjinor, a ka?
Ne kemi vendosur një kriter gjinor duke barazuar studentet femra me ata meshkuj. Pra do të zgjidhen 25 me 25.

Ku do konsistojë trajnimi që stafi i “WUS” do zhvillojë me 50 studentët që do të përzgjidhen?
Trajnimi do të përbëhet nga: një seminar gjatë periudhës së kualifikimit, i cili do të përmbajë, orientimin profesional, një plan për krijimin e karrierës si dhe trajnimin e aftësive kyçe. Trajnim Aplikimi, i cili përfshin aplikimin me shkrim, kërkesë për punë dhe kërkim për vend pune. Përgatitje për Fillimin e një Biznesi, që përfshin konsultimin fillestar dhe hartimin e planit udhërrëfyes. Plani vetë përfshin përcaktimin e qëllimit, strukturimin e projektit, planin e veprimit dhe llogaritjet e kostove si dhe menaxhimin në rast krize. Do të ketë edhe këshillime individuale apo në grupe, sipas rastit.

Veç bursës prej 1500 eurosh, do kenë dhe shans për t’u punësuar këta të rinj?
Ne po punojmë me sipërmarrjet gjermane që janë aktive në Shqipëri, për t’u krijuar mundësinë studentëve të përzgjedhur të bëjnë praktikat pranë këtyre firmave.

Kur është afati i fundit që studentët duhet të bëjnë aplikimin?
Afati i aplikimit është 15 shtatori 2016. Informacione të mëtejshme si dhe formularët e aplikimit, i gjeni në adresën www.surplace-albania.de, ose direkt nëpërmjet znj. Eda Terezi, [email protected] – Koordinatore e Projektit për Shqipërinë.

Zonja Terezi, edhe diçka të fundit. Projekti i University World Service (WUS), do ketë vazhdimësi, pra do jetë një projekt që vazhdojë edhe vitet në vijim, apo vetëm këtë vit?
Mbështetja e Ministrisë së Ekonomisë të landit të Hessen-it është dhënë deri në mars/prill 2017. Nëse detyrat tona do të plotësohen me sukses dhe mbështetja e të rinjve në fillimet e tyre do të jetë e mirë, pritet që ministria të mbështesë vazhdimin e mëtejshëm edhe për një vit tjetër. Prandaj, ne shpresojmë shumë në aplikime interesante dhe njerëz të rinj të përkushtuar.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: