Nga: Valentina Madani*

Kryetari i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj pohoi dje se neni 13, ku flitet për median, në ligjin për Prokurorinë e Posaçme ka nevojë për rregullim. Në sqarimin e tij për mediat, Xhafaj sqaroi: “Është një keqkuptim i madh dhe ai është një ligj, që nuk ka të bëjë me raportin e medias me Prokurorinë e Posaçme antikorrupsion apo me Gjykatën e Posaçme antikorrupsion. Por, mëny-ra se si është formuluar lë vend për t’u riparë, thjesht dhe vetëm për raportin e medias. Ose duhet hequr fare, ose duhet riformuluar ndryshe”. Ky është një nen i përfshirë tek drafti i hartuar nga ekspertët amerikanë të OPDAT-it të hënën. “Dhe ajo që ka ndodhur sot e në vite të tëra është se për shkak të këtij presioni nga politika, nga zyrtarët e lartë, njerëzit me pushtet e nga elementë të tjerë janë mbyllur procese të tëra që kanë pasur të bëjnë veçanërisht me zyrtarët e lartë në çështjet e korrupsionit”, tha Xhafaj.

Sipas kreut të Komisionit të Posaçëm, “qëllimi i asaj dispozite është jashtëzakonisht i mirë”. “Në optikën time ai nen duhet forcuar akoma më shumë për të eliminuar çdo lloj ndikimi të paligj-shëm mbi punën e prokuro-rëve dhe të gjyqtarëve që do të jenë pjesë e strukturave antikorrupsion. Çështja shtrohet se cili do të jetë këtu raporti i medias, për ta mbrojtur median. Por, jo thjesht për ta mbrojtur, por për ta bërë partnere në luftën kundër korrupsionit. Kjo ka nevojë që të rregullohet dhe të riformulohet më mirë dhe kaq. Këtu fillon dhe mbaron gjithçka”, nënvizoi Xhafaj. Kreu i komisionit u shpreh gjithashtu se projektligji kyç i kësaj reforme, ai i “vettingut” do të miratohet brenda këtij muaji. “Konsensusi është një fjalë e madhe dhe mbi konsensusin u ndërtua edhe procesi për miratimin e Kushtetutës dhe ishte e arsyeshme një gjë e tillë. Do të ishte mirë që për shkak të rëndësisë që ka reforma, që të kishte konsensus edhe në këtë projektligj dhe është e mundshme të arrihet një konsensus”, u shpreh Xhafaj.

“Padyshim që mazhoranca i ka votat dhe duhet të tregojë të gjitha përgjegjësinë e saj për votën që ka marrë nga elektorati shqiptar dhe përgjegjësinë e saj në raport me këtë reformë të rëndësishme dhe përgje-gjësinë e saj në raport me partnerët. Nëse nuk e tregon tani, kur do ta tregojë? Problemi shtrohet që ky është një proces normal, që do t’i nënshtrohet diskutimit në komision dhe nëse ka edhe mbështetjen e opozitës, edhe votën e opozitës, do të ishte një gjë shumë më e mirë, sepse e bën procesin akoma më të qëndrueshëm, akoma më të besueshëm dhe për atë pjesë të vogël që mendon, që ka rezervat e saj apo skepticizmin e saj ndaj procesit”, u shpreh Xhafaj. Deputeti socialist shpjegon rëndësinë që ka projektligji I “vettingut”. “Ky ligj është i lidhur ngushtësisht me rolin aktiv të partnerëve ndërkombëtarë në këtë proces. Ata kanë planifikuar buxhetet e nevo-jshme dhe janë buxhete të konsiderueshme për ta zbatuar këtë ligj, por njëkohësisht kanë filluar edhe rekrutimin e gjy-qtarëve dhe prokurorëve ndërkombëtarë, që do të jenë pjesë e operacionit ndërkombëtar të monitorimit”, u shpreh Xhafaj.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb