SHIJAK- “Marjusi ishte djalë i vetëm, kishte dhe një motër të vogël”. Kështu deklaron i afërmi i Marjus Djerri, i cili është një nga viktimat e tragjedisë në Genova të Italisë.

Fatbardh Marku, kushëri i nënës së 22-vjeçarit, ka pohuar për gazetaren e ‘News24 dhe ‘BalkanWeb’ Klodjana Haxhiaj se djali bashkë me familjen e tij kishin qenë me pushime në Shqipëri, dhe vetëm para tri ditësh kishin lënë Shijakun. Po ashtu i afërmi tregon me dhimbjes gjestin e fundit që Marjusi kishte bërë para se të ikte drejt vendit ku prindërit kishin emigruar, ndërsa i kishte puthur duart edhe gjyshit.

“Nena dhe babai i Marjusit janë sipërmarrës. Ai po shkonte më punë bashkë me shokun nga Shkodra kur ndodhi ngjarja. Fati është treguar shumë mizor. 3 dite kishin si familje qe ishin larguar nga Shijaku, se ishin me pushime. Para se te ikte i puthi duart gjyshit. Ai u largua me prindërit nga Vlora drejt Italisë. Prindërit qëndruan 8 vite pa ardhur ne Shqiperi se nuk kishin dokumente. Marjusi sapo kishte mbaruar shkollën dhe punonte ne biznesin e familjes”, tha Marku.

Kujtojmë se Marjusi udhëtonte në një automjet bashkë me shokun e tij Admir Bokrina, ndërsa të dy humbën jetën pas shembjes së urës Morandi.

NGA UDHETIMI ME GOMONE, TEK TRAGJEDIA E DJESHME
Mes të tjerash ai tha se nëna e Marjusit, Vali dhe babai, Gazi, kishin ikur disa vite më parë drejt Italisë me gomone, në një natë të erret dimri, bashkë me dy fëmijët. Asokohe Marjusi bashkë me motrën e tij akoma dhe më të vogël u larguan drejt Genovas ku për familjen emigrante nga Shqipëria nisi një sfidë e vërtetë për të mbijetuar. Për plot tetë vite nëna dhe babai i tij nuk mundën të pajiseshin dot me dokumente, çka shtoi dashurinë e fëmijëve për të afërmit, sidomos për gjyshërit.

I afërmi tregon se pasi familja u pajisu me dokumente erdhi në Shqipëri, ndërsa shton se Marijusi nuk e kishte harruar kurrë udhëtimin me gomone nga Vlora drejt Italisë. Mes vuajtjeve dhe sakrificës, prindërit kishin arritur të ngrinin një sipërmarrje, ku kishin punësuar edhe të tjerë shqiptarë. Ndërkohë, vetëm një vit më parë aty kishte nisur punë edhe Marijusi, një djalë me dëshira e pasione, por që ëndrrat ju prenë dje në mes.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: