Në 17-vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit, ende shumë punë mbetet për t’u bërë për përfaqësimin e denjë dhe të barabartë të shqiptarëve. Zv/kryeministri për çështje Evropiane Bujar Osmani thotë se implementimi i kësaj marrëveshjeje paqësore tanimë ka marrë një dimension tjetër. Sipas tij shqiptarët nuk duhet të shihen vetëm si punësime dhe numra nëpër institucionet vendore por se ngritja e tyre në poste udhëheqëse tani paraqet sfidën dhe zbatimin e anës tjetër të kësaj marrëveshje. Ai shtoi se pjesa legjislative e zbatimit të MO-së është kompletuar me miratimin e Ligjit të Gjuhëve ndërkaq hyrja në fuqi e këtij ligji është dimension tjetër.

“A është bërë gjithçka, nuk do të thoja se është bërë gjithçka por a është bërë shumë deri më tani, pothuajse kemi bërë shumë. Kemi filluar me 0,2% shqiptarë në administratën publike kemi arritur në 19,6%. Ajo që kam vlerësuar gjithmonë është se kjo periudhë ka qenë aspekti kuantitativ i implementimit të marrëveshjes, tani vjen periudha e aspektit cilësor të përfaqësimit dhe implementimit të marrëveshjes së Ohrit. Universitetet tona duhet të bëhen cilësore, do të duhet të ndodh procesi i ngritjes vertikale të atyre që vemë janë punësuar. Tani kemi një dimenzion tjetër të impelmentimit, shndërrimi nga kuantitet në cilësi për qytetarët në gjuhën e vet”- tha Bujar Osmani, zv/kryeministër për çështje Evropiane.

Ndërkohë kryeministri Zaev pranoi se përfaqësimi i shqiptarëve nëpër institucionet publike të vendit nuk është i duhuri, por se do të punohet për përmirësimin e gjendjes.

“Deri më tash nga ajo që e dimë se gjithsej 19% është përfaqësimi i shqiptarëve është në institucionet publike që do të thotë është më e vogël nga numri total. Ne do të vazhdojmë të punojmë më tej por edhe me bashkësitë tjera etnike përqindja e përfaqësimit nuk është e duhura nëpër institucionet publike. Në seancën e fundit të Qeverisë referonte Drejtoria për të ardhura publike për institucionet përqindjet. Në secilën seancë të Qeverisë do të ketë nga një institucion me qëllim që të mobilizojmë nga aspekti i përfaqësimit të barabartë që të gjithë qytetarët të jenë pjesëmarrës në punët e shtetit edhe atë duke ndërtuar një shoqëri për të gjithë, para së gjithash që të gjithë qytetarët vendin e tyre ta ndjejnë në të vërtetë si të tyre, si në aspektin e të drejtave poashtu dhe përgjegjësive”, deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër i Maqedonisë.

Kreu i opozitares VMRO-DPMNE Mickoski e shfrytëzoi shënimin e kësaj dite për të thënë se Qeveria e ka mëse të nevojshme të zbatojë reforma në ekonomi, arsim dhe shëndetësi, raporton Alsat-m.

“Sot qytetarëve të vendit i është urgjente reforma në ekonomi, reforma në Arsim, Maqedonia duhet të krijojë kushte shkollore siç kanë vendet e zhvilluara nëpër botë. Na mungojnë reforma në Shëndetësi, na duhet sistem i reformuar shëndetësor i cili do të na ofrojë shërbime cilësore dhe pacientët të jenë të kënaqur dhe jo të shohim se si ti kurdisim tenderët të cilët jepen përmes lidhjeve familjare dhe shoqërore”,- tha Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Në ceremoninë e shënimit të 17-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit nuk ishte prezent Hazbi Lika Zv/ kryeministër për zbatimin e MO-së i cili është personi më kompetent për të treguar mbi implementimin dhe sfidat me të cilat përballet kjo marrëveshje. I pyetur nga gazetarët për mungesën e Likës, zv/kryeministri Osmani tha se Lika në mungesë të prezencës së tij fizike, iu është drejtuar të pranishmëve përmes një letre përshëndetëse në nder të shënimit të kësaj date.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb