MURIQAN – Një person është arrestuar në doganën e Muriqanit ditën e sotme pasi u kap me municione.

Policia raporton se ai është shtetas suedez dhe u ndalua pasi i janë gjetur 19 mini-pistoleta.

Ai quhet Sebastian Rikard, 21 vjeç, dhe ishte duke shkuar për në Gjermani. 21-vjeçari ishte në një autobuz linje ku kishte me vete dhe pistoletat. Rikard i kishte fshehur në një çantë.

Duke pasur parasysh dhe trafikun e qenieve njerëzore, policia bën kontrolle të shpeshta, e për këtë arsye bëri një kontroll më të detajuar të të riut.

Ende suedezi nuk ka bërë një deklaratë në lidhje me ngjarjen, nuk dihet prej sa kohësh ka qenë në Shqipëri.

NJOFTIMI I POLICISË
Tenton të trafikojë armë zjarri, arrestohet nga Policia 21 – vjeçari nga Suedia.
Sekuestrohen 19 armë zjarri “Pistoletë”.

Krahas masave për përballimin e fluksit, krijimin e lehtësirave ligjore me qëllim shmangien e radhëve dhe ofrimin e një shërbimi sa më cilësor e në kohë për turistët dhe gjithë pushuesit që vijnë në Shqipëri për sezonin veror, shërbimet e Policisë Kufitare Muriqan kanë rritur edhe kontrollin në drejtim të parandalimit dhe goditjes së paligjshmërisë, kryesisht trafiqeve të paligjshme që mund të kryhen duke përfituar nga fluksi i madh.

Si rezultat i shtimit të kontrolleve duke përdorur edhe qentë antidrogë dhe antieksplozivë është bërë e mundur që të konstatohet dhe goditet një rast i trafikimit të armëve të zjarrit.

Shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Muriqan, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit :
– S. V, 21 vjeç, banues në Suedi.

Në PKK Muriqan në dalje gjatë kontrollit të detajuar në vijën e dytë, në çantën e 21 – vjeçarit suedez, i cili udhëtonte si pasagjer në autobuzin e linjës “Kosovë -Gjermani”, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 19 armë zjarri tip “pistoletë”, kalibër 7.65.

Veprimet po vijojnë nga Specialistët e Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Policisë Shkodër për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti të trafikut të armëve.

Materialet do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” parashikuar nga neni 278/a i Kodit Penal

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: