LONDER- Nga Londra ku është zhvilluar ditën e sotme një takim i Ministrave të Brendshëm, të vendeve pjesëmarrëse të ‘Procesit të Berlinit’ dhe Bullgarisë, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka ritheksuar angazhimin e qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar.

Teksa ka vlerësuar organizimin e këtij Samiti, si një mundësi për të diskutuar dhe dakordësuar forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal, ministri Xhafaj u shpreh se vendi ynë po punon me partnerët ndërkombëtarë në këtë drejtim.

“Shqipëria, e konsideron luftën kundër krimit të organizuar si prioritet thelbësor dhe për këtë është duke ndjekur një qasje gjithëpërfshirëse dhe ndër-institucionale, e mishëruar në një Task Force Speciale, (e ngjashme me modelin Table Mate në Mbretërinë e Bashkuar), e cila bën bashkë të gjitha agjencitë relevante brenda vendit, të ngarkuara me përgjegjësi ligjore në këtë drejtim. E parë në kontekstin e mësipërm, jemi duke thelluar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, britanikë, gjermanë, italianë, austriakë dhe agjencitë ligj zbatuese të këtyre vendeve. Jo për shkak se ndodhem këtu në Londër, por bashkëpunimi me autoritetet britanike dhe me NCA është një ndër modelet qe ne duam të ndjekim në organizimin e strukturave tona në këtë fushë”, tha ministri Xhafaj.

Gjatë fjalës së tij në Samit, ai evidentoi edhe rezultatet e Task Forcës Speciale për identifikimin dhe arrestimin e një sërë grupesh kriminale me rrezikshmëri të lartë, përfshi edhe hetimin e aseteve të tyre.

Xhafaj tha se një tjetër prioritet i Qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme është lufta kundër terrorizmit. Sakaq, ai solli në vëmendjen e Ministrave të Brendshëm propozimin për ngritjen e Qendrës Rajonale të Bashkëpunimit Policor, bërë më herët në takimin e Triestes vitin e kaluar.

Ai shtoi se forcimi i sigurisë në Ballkan kërkon padyshim vijimin pa hezitim të procesit të integrimit Evropian.

“Unë besoj se kjo është në interes të rajonit dhe i shërben më së miri interesave që lidhen me sigurinë e kontinentit evropian. Nuk mund të ketë Evropë të fortë në përballimin e sfidave të sigurisë, krimit të organizuar dhe terrorizmit, pa Ballkanin e përfshirë në proceset integruese”, tha ministri.

Në fund të punimeve të Samitit të Londrës, palët pjesëmarrëse miratuan një deklaratë, në krye të së cilës ishte angazhimi për përballjen e përbashkët me kërcënime të sigurisë, përfshirë krimin e organizuar, ekstremizmin e dhunshëm, terrorizmin dhe financimin e terrorizmit, korrupsionin, pastrimin e parave, trafikimin e qenieve njerëzore, kontrabandimin e migrantëve, trafikimin e armëve dhe drogave si dhe kërcënimet ndaj sigurisë kibernetike.

Ministrat e Brendshëm pranuan se këto kërcënime janë transnacionale dhe kërkohet thellimi i bashkëpunimit rajonal dhe ngritjen e nivelit të reagimit kolektiv.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb