TIRANE– Edhe pse pati reagime pas vendimit të Presidentit Ilir Meta për të mos drekretuar ligjin për ndërtimin e Teatrit të ri, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka vijuar të mbajë fjalën për fushatën e dhurimit të gjakut.

Ditën e sotme, Veliaj shprehu mirënjohjen e tij për punonjësit e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, të cilët iu bashkuan nismës së Presidentit Meta për dhurimin e gjakut, në ndihmë të të sëmurëve me talasemi dhe atyre që kanë nevojë.

Ai theksoi se Bashkia e Tiranës do t’i përmbahet angazhimit të marrë dhe të japë kontributin e saj për të dhënë gjak.

“Lidership do të thotë të bësh atë që është e drejtë, pavarësisht rrethanave. Të ndërtosh teatrin, besoj është e drejtë, të dhurosh gjak po ashtu, dhe përkushtimet janë përkushtime dhe angazhimet janë angazhime. Ne e kemi marrë këtë angazhim dhe pavarësisht rrethanave apo mënyrës se si shkon loja e politikës së ditës, pavarësisht kush bllokon apo zhbllokon diçka, pavarësisht se kush hap një sherr apo bëhet pengesë, jeta vazhdon dhe unë besoj se për gjërat që besojmë, që janë detyrime të shenjta dhe angazhime të marra, do ta mbajmë gjithnjë fjalën”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës theksoi se kjo nismë ka dobi të dyanshme, pasi u shërben atyre që kanë nevojë për gjak, por nga ana tjetër i bën mirë edhe dhuruesve, për të reduktuar mundësinë e sëmundjeve kanceroze dhe rigjeneruar qelizat e reja të gjakut.

“Jam shumë krenar për kolegët e APR-së, janë shembullorë në çdo gjë që prekin me dorë, nga liqeni i Tiranës, te këndet e lojërave, nga pistat e vrapit, te Amfiteatri dhe pastrimi i parqeve, e sigurisht të parët edhe në këtë platformë solidariteti, me përpjekjen për të kompensuar nevojat që kemi gjatë stinës së verës, ku një pjesë e madhe e pushuesve që janë gjithashtu dhurues nuk janë në Tiranë, por ndërkohë, nevojat vazhdojnë konstante. Talasemia, njerëzit që aksidentohen apo operacionet nuk pyesin nëse është korrik apo gusht, nevojat janë konstante, ndaj më vjen mirë që ky fluks solidariteti nga Bashkia e Tiranës vjen pikërisht në këtë moment”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku falenderoi Kryqin e Kuq për bashkëpunimin dhe ftoi edhe bashkitë e tjera që t’i bashkohen nismës; t’i shërbejnë më shumë atyre që kanë nevojë dhe të merren më pak me politikë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb