Ivan Perisic ishte ndër lojtarët më të dalluar të Kroacisë në Botëror, madje në finale kundër Francës ai realizoi një gol shumë të bukur. Në një intervistë për mediat italiane 29-vjeçari thotë se pret që në vendin e tij ekipin ta presin me përqafime, ndërkohë që më pas flet edhe për sezonin e ri me Interin.

“Duhej të fitonim, golat nuk kanë shumë rëndësi. Kemi bërë me të vërtetë mirë dhe kemi dhënë gjithçka,”- janë fjalët e Ivan Perisic për “Corriere dello Sport” që komenton kështu Botërorin e Kroacisë në Rusi.

“Detajet kanë bërë diferencën, kemi dhuruar dy gola. I pari ka lindur nga një goditje dënimi që nuk ekzistonte, sepse te Griezmann nuk kishte faull, pastaj unë kam prekur topin me dorë… kemi pasur shumë raste dhe kemi luajtur më mirë”, deklaron sulmuesi zikalter.

“Por në fund duke kërkuar të dalim para kemi lënë hapësira prapa… Komplimente për Francën. Megjithatë kthehemi në shtëpi më shumë krenar sesa të zhgënjyer. Presim përqafimin e njerëzve tonë pas rezultatit më të mirë qe ka patur ndonjëherë Kroacia,”-shton Perisic.

E pastaj Ivan gjen kohë edhe për të folur rreth Interit dhe për të komentuar fjalët e Luciano Spallettit të premten rreth tij në konferencë për shtyp.

“Unë si Cristiano Ronaldo? Faleminderit për komplimentet. Deri tani kam menduar për Kroacinë. Tani do të pushoj dhe pastaj do të përqendrohem te Interi.

I uroj më të mirën çunave që tashmë kanë filluar të punojnë. Shpresojmë që të bëjmë gjera të bukura. Unë shpresoj të bëj më shumë, jam nënkampion bote,”- ka thënë Perisic që pastaj kur pyetet për Champions League, vazhdon:

“Për të fituar duhet një skuadër, shumë lojtarë. Këtë sezon akoma më shumë sepse do të luajmë edhe në Champions League”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb