SHBA-Qindra mijëra persona në SHBA protestuan kundër administratës së presidentit Donald Trump për shkak të politikës së diskutueshme për emigrantët, e cila ndan fëmijët nga familjet e tyre, të cilët kanë hyrë në vend nëpërmjet rrugëve ilegale, raporton Anadolu Agency (AA).

Në gjithë vendin dje u organizuan më shumë se 600 protesta kundër politikës ndaj emigrantëve të presidentit amerikan Trump, sipas së cilës fëmijët ndahen nga familjet e tyre emigrante.

Mijëra protestues në New York, që njihet si vendlindja e Trumpit dhe “kalaja” e Demokratëve, marshuan në urën Brooklyn.

Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime “Mos i ndani familjet”, “Donald Trump duhet të shkojë”, “Zotëri president pse kur e doni ushqimin meksikan nuk i doni meksikanët? Mos i ndani familjet”, “Nuk ka vend për urrejtje dhe frikë, mirë se erdhët emigrantët”.

Protestuesit, të cilët brohoritën slogane kundër Trumpit, u mbështetën edhe me sirena të automjeteve.

Ndërkaq edhe në Washington protestuesit marshuan nga hoteli “Trump”, ku brohoritën slogane “Të vie turp”, “Nuk është presidenti im”.

Familjet morën pjesë me fëmijët e tyre të vegjël në protestë

Ndërkaq shihej se familjet kishin marrë pjesë në protestë së bashku me fëmijët e tyre të vegjël.

Kuratori i teatrit të suksesshëm muzikal “Hamilton”, Lin Manuel Miranda mori pjesë në protestë ku këndoi ninulla. Ndërsa këngëtarja e njohur amerikane Alicia Keys, e cila ishte e pranishme në protestë së bashku me vajzën e saj 7 vjeçare, lexoi një letër të shkruar nga një nënë, fëmija i së cilës i është marrë.

Edhe fëmijët e vegjël mbanin pankarta me mbishkrime “Fëmijët nuk duhet të vendosen nëpër kafazë”.

Pas reagimeve nga i gjithë vendi dhe opinioni publik ndërkombëtar, Trump nënshkroi dekretin i cili i jep fund ndarjes së fëmijëve nga prindërit e tyre të cilët kanë hyrë në SHBA-të nëpërmjet rrugëve ilegale. Mirëpo, ende më shumë se 2.000 fëmijë mbahen të ndarë nga familjet e tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: