TIRANE– Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke folur nga çadra e protestës mbrëmjen e sotme, është ndalur tek çështja e mbetjeve. Duke iu referuar lajmit të publikuar disa ditë më parë nga një media italiane se 1300 kontejnerë me mbetje kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në vendin tonë, Basha tha se kryeministri Rama duhet të përgjigjet për këtë situatë.

Kryedemokrati tha se nëse ky lajm është i vërtetë, atëherë kemi të bëjmë sipas tij me “një gjenocid ndaj shqiptarëve”.

“Rama në 2013 erdhi në qeveri edhe me votat e atyre që shpresuan në heqjen njëherë e mirë të ligjit të mbetjeve, por sapo mori votat, e harroi këtë premtim.

Ky akt i rikthimit të ligjit të mbetjeve është një pabesi, një shkelje flagrante e premtimit. Një kryeministër që shkel premtimin me të cilin ka ardhur në pushtet, nuk ka më të drejtën të jetë legjitim nga populli. E shkeli premtimin, soli ligjin në Parlament, dhe sot që jemi këtu lajmet po shpërthejnë nga të gjitha anët, po presim konfirmimin e tyre. Por me sa duket kemi të bëjmë me një krim të madh, bëhet fjalë për 1300 kontejnerë, secili me peshë 30 tonë. Bëhet fjalë për dhjetëra mijëra tonë mbetje të rrezikshme që mund të jenë futur në Shqipëri kundër ligjit, kundër Kushtetutës, dhe kundër dëshirës të të gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët rrezikojnë shëndetin dhe jetën. Edi Rama është sot në bankën e të akuzuarve dhe duhet të përgjigjet nëse i ka futur këto 1300 kontejnerë në Shqipëri”, tha Basha.

Kreu i opozitës ka reaguar edhe ndaj atyre shoqatave, të cilat sipas tij nuk kanë ngritur asnjëherë zërin për problemet e vërteta dhe hallet e qytetarëve shqiptarë.

“Sot në këtë shesh të lirisë po diskutohet një kauzë jashtëzakonisht e rëndësishme, shëndeti i shqiptarëve, i fëmijëve tanë, helmimi i shëndetit të shqiptarëve, i lidhur drejtpërdrejt me problemin e tmerrshëm të mbetjeve. Sot dhe jo vetëm sot, na janë bashkuar aktivistë të Shoqërisë Civile, luftëtarë të kauzave të drejta të qytetarëve shqiptarë. Sa lekë kanë marrë nga taksat e europianëve dhe ç’kanë bërë me ato lekë shoqatat e tjera në vend? Unë ju jap fjalën se një ditë do të përgjigjen një për një. Do të përgjigjen pasi janë kthyer në shëmbëlltyrën e tentativës për të korruptuar shoqërinë.

56 shoqata njësoj si vullnetarët e Enverit para 27 vitesh, nuk u ngritën asnjëherë për hallet dhe shqetësimet e vërteta të shqiptarëve. Ku ishin kur kjo qeveri kriminalizoi Parlamentin, qeverinë dhe bashkitë e vendit. Ku ishit kur ndryshoi ligjin e mbetjeve. Dita e llogarisë morale ka ardhur, dhe së shpejti do të ballafaqoheni me republikën e re dhe ligjin e saj. Paratë që keni marrë për t’i shërbyer shoqërisë dhe i keni përdorur duke i shërbyer krimit, do t’i ktheni një për një.

Njerëzit e drejtë të Shoqërisë Civile do të kenë vend në republikën e re duke qëndruar kundër çdo shkelje, të çdo qeverie e të çdo pushteti”, u shpreh Basha.

Basha ‘kërcënoi’ kryeministrin se do të marrë përgjigjen e qytetarëve. Kreu i PD-së i bëri edhe një apel prokurorisë për të bërë transparencë për hetimet.

“Nëse është sjellë si një bandit, si një kriminel, i siguroj se bashkë me qytetarët do i rezervojmë të njëjtën përgjigje që i sigurohet një banditi që kërcënon jetën e qytetarëve. I kërkoj prokurorisë të bëjë transparencën e plotë të çdo hapi të hetimit. Ky nuk është një krim dosido, nuk është një aferë dosido. Nëse Rama dhe qeveria e tij kanë futur dhjetëra tonë mbetje të rrezikshme në Shqipëri ky është gjenocid ndaj shqiptarëve”, theksoi kreu i PD-së.

Ai u shpreh më tej se problemi i lidhjes së Shqipërisë me mafien e plehrave dhe katapultimi i kriminelëve në institucione shtetërore nuk janë probleme që i zgjidh vettingu por vota e shqiptarëve, zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

“Edhe nëse vettingu do të behej si e kemi përcaktuar ne me kushtetutë, çfarë vlere do të kishte kur kemi kriminelë në parlament, në krye të bashkive kur milionat e drogës kërcënojnë votën e shqiptarëve?! Edhe një grusht gjyqtarësh të ndershëm do të vendoseshin nën shënjestrën e mafies në pushtet. Ju ka ndodhur fqinjëve tanë, italianë. Që edhe pse kishin magjistratë si Falcone, politika e lidhur me krimin arriti t’i hedhë në erë”, deklaroi Basha.

Ai theksoi se opozita nuk do pranojë reformë në drejtësi fasadë, gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm që pasi të vijnë të vihen nën shënjestrën e një klase politike të lidhur me krimin.
“Është ekzistenciale për Shqipërinë dhe shqiptarët mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, u shpreh Basha.

(el.sp/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: