TIRANË-Cështja e fëmijës 5-vjeçar që përfundoi në qeli më nënën që kishte rilidhur energjinë e ndërprerë sepse nuk e kishte paguar, ka sjellë dhe reagimin e kryeministrit Edi Rama.

“Të fusësh në qeli një fëmijë është krim po të bësh politikë duke sajuar monstruozitete të tilla çfarë është?!…” Deklarata e Ramës është bërë në rrjete sociale duke akuzuar kështu PD, që një ditë më parë denoncoi rastin e 5-vjecares që kaloi orë në qeli ndërsa nëna e saj merrej në pyetje në ambientet e komisariatit numër 2 të Tiranës.

Izolimin e vogëlushes nga policia e ka deklaruar dhe ilustruar edhe me fotografi një ditë më parë, Ervin Salianji, drejtor i Departamentit për të Drejtat e Njeriut në PD. Në krye të një grupi deputetësh demokratë, ai ka protestuar para Komisariatit nr.3.
Sipas PD-së, vogëlushja është mbajtur në komisariat nga nëna e saj, e cila ishte arrestuar për shkakun se nuk mund të paguante faturat e larta të energjisë elektrike duke qënë e papunë dhe pa përkrahje ekonomike.

Lidhur me akuzat e PD-së për shoqërimin në Komisariatin nr.3 të një fëmije së bashku me nënën, Ministria e Punëve të Brendshme sqaron se gruaja që u shoqërua për lidhjen e energjisë, i kërkoi vetë policisë ta merrte fëmijën me vete.

vajzaaa5vjec
Reagon PD: Prokuroria të nisë hetimet

Pas deklaratës së Kryeministrit kanë reaguar sërish demokratët.
Këshilltari ligjor i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi i kërkon prokurorisë të nisë hetimin pasi sipas tij kemi të bëjmë me shkelje të nenit 27 të Kushtetutës, të neneve 5 dhe 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, të nenit 37 të Konventës Për të Drejtat e Fëmijëve, të Kodit të Procedurës Penale dhe Ligjit për Policinë e Shtetit.
“Partia Demokratike i kërkon sot Prokurorit të Përgjithshëm dhe Prokurorisë së Shtetit të urdhërojë arrestimin e menjëhershëm të porositësve dhe ekzekutorëve të këtij akti të rëndë kriminal, për heqjen abuzive të lirisë së një vajzë 5 vjece.
Derisa Edi Rama dhe Ministri i tij, nuk shfaqin asnjë shenjë pendese, asnjë shenje reflektimi, duke mos nxjerrë përgjegjësit e përgjegjësitë, ne i kërkojmë Prokurorisë të nisë menjëherë procedimin penal ndaj policëve e shefave të tyre, ndaj gjithë segmentit që është përfshirë dhe kanë pasur dijeni për këtë vepër penale.
Kjo polici që nuk kursen as një vajzë 5 vjece, është e rrezikshme, nuk i shërben qytetarëve, është e shurdhër dhe e verbër, duke shërbyer politikisht Ministrin dhe Kryeministrin.Ndaj ne inkurajojmë Prokurorinë të vihet në lëvizje sot për ti caktuar kufinjtë ligjorë bandës së Tahirit dhe Edi Ramës”.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb