TIRANE- Situatën e krijuar pas zgjedhjeve në Itali, ku Jugu është bërë i verdhë, e ku kryeson “Movimento 5 Stelle”, ndërsa Veriu ka besuar më shumë partinë “Lega Nord” të Matteo Salvinit, e ka komentuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24, analisti Fatos Lubonja.

Sipas tij, në këto kushte, pritet që Matteo Renzi, kreu i Partisë Demokratike e cila ka humbur thellë në këto zgjedhje të japë dorëheqjen. E ndërsa ai kishte parashikuar një konferencë në orën 17:00, Lubonja thotë se shtyrja vjen pasi partia është duke bërë balancat, por pse jo edhe pazare.

“Besohet që Renzi do ta japë dorëheqjen, por shtyrja e konferencës interpretohet edhe si luftë e brendshme e partisë ku bëhen balancat por edhe pazare nëse mund ta përdor këtë fjalë. Dorëheqja për mendimin tim është e paevitueshme. Ai kishte deklaruar se do të qendronte edhe po të humbte, por përmasat e kësaj humbje e bëjnë të pamundur mbajtjen e partisë”,- tha Lubonja, raporton “BalkanWeb”.

E ndërsa italianët kanë votuar për të rrëzuar partitë tradicionale dhe kanë besuar forcat e reja politike, Lubonja thotë se ka diçka të përbashkët mes dy forcave që kanë zënë vendet e para.

“Dy partitë fituese kanë disa gjëra të përbashkëta, prekin temat e varfërisë, pasigurisë së jetës së njerëzve, prekin temën e abuzimit me pushtetin, ajo që mund ta quajmë korrupsion të klasës politike por edhe atë të shpërdorimit të pushtetit. Ashtu sikundër është edhe çështja e emigracionit dhe sigurisë. Ka mbizotëruar ndjenja për siguri nga një emigracion i pakontrollur. Këto dy forca kanë ofruar më shumë siguri se sa PD-ja e Renzit që ka qënë më e hapur dhe liberale ndaj emigracionit”.

Lubonja nuk la pa komentuar as koalicionet e mundshme që mund të krijohen me qëllim formimin e qeverisë së re, duke qënë se asnjëra prej tyre nuk mund ta formojë e vetme.

“Sipas Kushtetues, është Presidenti ai që i jep detyrën për të ngarkuar qeverinë figurës që ka probabilitetin më të lartë për ta krijuar qeverinë. Koalicioni i qendrës së djathtë me Berlusconin dhe Legën e Salvinit ka shumicën, dhe ky i fundit mund të bëhet kryeministër, por “Movimento 5 Stelle” pretendon se është parti e parë se ka 32%…, pra kjo është një çështje e hapur dhe ende e pazgjidhur. Kjo tregon se Kushtetetuta italiane nuk e përcakton në mënyrë të prerë se kush e krijon qeverinë. Fletet edhe për një afrim të PD me M5S për të mos e lënë Italinë në dorën e Salvinit që etiketohet më shumë si një antieuropian. Po ashtu ka edhe një skenar që vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje”.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: