TIRANE Gjatë seancës së sotme, Gjykata Penale e Tiranës ka shtyrë për në 21 qershor vendimin për hapjen ose jo të dosjes ‘Hajdari’, pas kërkesës së ish-truprojës së Sali Berishës, Izet Haxhia. Gjykata kërkoi nga Prokuroria të sjellë dosjen hetimore për çështjen.

Izet Haxhia tha në seancë se nuk është njoftuar në atë kohë për dënimin e tij dhe i është rrezikuar jeta, por Prokuroria ka publikuar shkresat dhe u shpreh se Izeti është njoftuar. Ai kërkoi sërish ballafaqim me Sali Berishën.

“Unë kam ardhur këtu që të dëgjohem. Nga 90’ deri 98’ jam dëshmitar i shumë ngjarjeve që i ‘djegin’ Sali Berishës. Dua një ballafaqim me Sali Berishën”- tha Izet Haxhia.

Haxhia është dënuar me 25 vite burg nga gjykatat shqiptare për vrasjen e Azem Hajdarit në 12 shtator 1998, akuzë që ai e mohon ndërsa gjykimin e cilëson të padrejte pasi është bërë në mungesë.

Izet Haxhia u arrestua në vitin 2006 në Turqi, por drejtësia turke nuk ishte shprehur ende për ekstradimin e tij, ndonëse pala shqiptare kishte bërë kërkesa të vazhdueshme në kohën kur në pushtet ishte Sali Berisha.

Për 12 vjet me radhë gjykata turke kishte urdhëruar thjesht që ai të mos largohej jashtë vendit, ndërsa në shkurt të këtij viti befas u mor vendimi që ai të ekstradohet.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: