TIRANE- Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një deklaratë drejtuar mediave teksa ka përgëzuar qytetarët shqiptarë që votuan ditën e djeshme për zgjedhjet lokale theksoi se shqetësim mbetet blerja e votave. SHBA ka theksuar nga ana tjetër se një shqetësim ngelet presioni mbi votuesit.

“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë qytetarët e Shqipërisë për ushtrimin paqësisht të të drejtës së tyre demokratike për të votuar në zgjedhjet vendore më 21 qershor 2015. Numërimi i votave vazhdon dhe u bëjmë thirrje institucioneve demokratike të sigurojnë certifikimin e shpejtë dhe tërësor të rezultateve.”, citohet në deklaratën e SHBA-së.

Sipas ambasadës, votimi ditën e zgjedhjeve nuk pati incidente madhore apo akte dhune. “Ne i bëjmë jehonë gjetjeve paraprake të OSBE/ODIHR për zgjedhjet vendore dhe ndajmë shqetësimet e tyre për blerjen e votave, pretendimet për presione mbi votuesit, institucionet e politizuara zgjedhore dhe parregullsi të tjera. Nxisim qeverinë dhe partitë politike të punojnë për t’i trajtuar këto gjetje dhe rekomandimet e tjera të ODIHR.”, thuhet në deklaratën e SHBA-së.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: