*Prokuroria është në një presion shumë të madh

*Akuza ndaj Frroku e Doshit është false e bërë për të shpëtuar Metën

*Basha ka të drejtë, kurrë aleancë me Ilir Metën

*Nuk ndërhyj në përzgjedhjen e asnjë kandidature në Shkodër

*Marrëdhëniet me Bashën, marrëdhëniet e një kryetari partie dhe një deputeteje

*Berisha po e ndihmon jashtëzakonisht PD-në 

TIRANE- Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli e ftuar në studion e “Opinion” në News24 me Nisida Tufën ka komentuar mbrëmë arrestimin e dy deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku. Topalli shkoi në një linjë me ish-kryeministrin Berisha, kur tha se arrestimi i tyre është falso dhe bëhet për të mbrojtur Ilir Metën. Përballë deputetes së PD-së ishte kryeredaktori i “Gazeta Shqiptare”, Tedi Blushi.

“Është një moment kyc, vendi ndodhet në udhëkryq, 3 javët e fundit është mbërthyer në një skenar ogurzi që ka në bazë akuzën e një deputeti, i cili akuzohet për sponsorizimin e vrasjes së dy deputetëve, gjëja është e paprecedentë, e padëgjuar. Ajo çfarë patë sot në Kuvend ishte maja e ajsbergut. Arrestimi i deputetëve, asgjë nuk ishte i paparalajmëruar. Ne e kemi dëgjuar, e kemi ndjekur me zë dhe me figurë. Ne e dimë çfarë po ndodh dhe cila është frika e vërtetë. Ngritja e akuzës për dëshmi të rreme, burgosja e deputetëve, kjo ndodhte 20 vite më parë, kjo përpjekje dëshpëruese për të fshehur në të vërtetë sponsorizuesin e vrasjes së dy deputetëve për të shpëtuar Ilir Metën. Ashtu është dhe në organizata mafioze, kur sulmohet bosi i bosëve, eliminohet ai që sulmon”, tha Topalli.

Për deputeten e Partisë Demokratike është iluzive po të thuash që sot jetojmë në kohë normale.

“Skandal dhe e frikshme, do ishte shumë iluzive të thoje që po jetojmë kohë normale. Kohët normale kanë përfunduar. Siç duket historia e vendit tonë është si pëlhura e Penelopës. Nuk njoh, nuk di nuk kam dëgjuar që në vende demokratike të ketë deputetë të Kuvendit që akuzon kreun e Kuvendit si sponsorizues të vrasjes së dy deputetëve. Ai kishte vetëm një zgjidhje të jepte dorëheqjen, që të çlirohet nga pesha, që ti linte rrugë prokurorisë të nxirrte të vërtetën”, shtoi Topalli

Si e vlerësoni punën e Prokurorisë në lidhje me këtë çështje?
Çështja është shumë më e komplikuar. Kam pasur vërejtjet e mia për akuzën. Ata të dy mund të akuzohen për 100 arsye por për dëshmi të rreme, nuk shkon. Ajo që ka ndodhur është se Prokuroria është në një presion shumë të madh, që në momentin që Tom Doshi e akuzoi kryetarin e Parlamentit ka skaduar i gjithë sistemi. Çfarë prisni ju nga një prokuror që shkon në zyrë me kryetarin e Kuvendit dhe kryeminstrit. Është mbajtur si një çështje e brendshme, kjo nuk është vetëm çështja Doshi, është cështja Meta, Frroku, Rama, Tahiri, Didi e të tjerë.

A është palë prokuroria me qeverinë në këtë çështje?
Nëse në zyrën e kryeministrit thirret ministri, kryeparlamentari dhe kryeprokurori për një akuzë për numrin dy të shtetit dhe këta personazhe e kanë mbajtur fshehur nuk ka nevojë për më shumë koment.

A duket sikur i keni dalë në mbrojtje Doshit?
Beteja me Tom Doshin por edhe të tjerë kryesisht dhe të Shkodrës është e gjatë, e fortë dhe vendosur, edhe unë vetë nuk i kam dashur të jenë brenda Parlamentit.

Tom Doshi ka deklaruar se betejën me mua nuk e ka fituar as Topalli e as Berisha…
Unë kam humbur betejën me krimin në Shkodër në 23 qershor. Ka qënë Doshi, Frroku dhe të tjerë deputetë të Metës. Jo në pak raste qytetarët janë ndodhur para kërcënimit, armës dhe parave. Dëshmitari më kyç është Mark Frroku, i njohur nga policia por edhe nga gazetarët që s’ja kanë përdorur emrin nga frika. Për të u zbulua edhe një histori e rëndë, i zënë në makinë e tij me një trafikant që mazhoranca ia mbante të fshehur. Si mund ti përkthesh të gjitha këto në një akuzë për dëshmi të rreme. Akuza është false e bërë për të shpëtuar Metën.

Frroku pretendon se në 2004 të ka sponsorizuar…
Se njihja fare në atë periudhë, e kam parë fytyrën e tij në televizon.

Ju pretenduat se u kërcënuat me sms nga ky deputet…
I kam kërkuar Kuvendit një vit e 3 muaj më parë të shqyrtojnë rastin e tij, po gjykohej në Bruksel për një cështje të rëndë, përgjigja që kam marrë ka qënë një heshtje varri. Për të ardhur në pushtet përdorën çdo mjet dosja e Doshit u mbyll nga Ina Rama me urdhër të Ramës, që Doshi të fitonte betejën në Shkodër, që të fitonte zgjedhjet.

Shoh që PD ka një frikë për ti përmendur 19 deputetët e inkriminuar…
Foli deputeti më i rëndësishëm e akuzoi kryetarin e Kuvendit, sot e ke në burg.

E vetmja që qëndroi në sallë në votimin për Doshin dhe Frrokun ishte deputetja Mesila Doda. E gjykoni?
Jo, nuk e gjykoj.
Do përjashtohet nga grupi parlamentar i PD-së?
Nuk dua ta komentoj. Secili merr vendimet e veta në jetë, në familje…
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka thënë se nuk do të bëjë kurrë koalicion me Ilir Metën. E quani të drejtë?
PD nuk duhet të bëjë kurrë koalicion me Ilir Metën dhe unë e përshëndes deklaratën e kryetarit Basha. Mund të bëhej edhe më përpara si deklaratë, por unë e vlerësoj.
Pas dy viteve a jeni gati për marrjen e pushtetit?
Në këtë moment nuk mund të flitet për pushtet. Javët që vijojnë mund të shkojnë edhe më keq.
Pra, nuk jeni për zgjedhje të parakohshme?
Unë e dua shumë PD-në, por do ishte shumë iluzive të thoshe që po jetojmë kohë normale. Kohët normale kanë përfunduar.
A i shikoni zgjedhjet si zgjidhje?
Sot në Parlamentin e Shqipërisë nuk i ndaj më si të majtë dhe të djathtë. Nuk e kemi këtë luks. Të gjithë duhet të ngrihen për të bërë presionin e madh. Shqiptarët duhet të ngrihen kundër krimit.
Këtë shikoni si zgjidhje?
Fatkeqësisht po.
Z.Berisha foli për revolucion paqësor. E mbështesni?
Ai që beson fort, di t’i bëjë edhe të tjerët që t’u heqë frikën. Detyra e opozitës është që shqiptarëve t’u largojnë frikën dhe të ngrihen.
Pse nuk jeni përfshirë në grupin e punës në Shkodër?
Nuk është e vërtetë. Një ditë po një ditë jo shkoj në Shkodër. Unë s’kam nevojë të jem e përfshirë sepse jam e përfshirë dhe e angazhuar.
Do jepni mendim nëse ua kërkojnë për përzgjedhjen e kandidatëve?
Më parë kam qenë pjesë e vendimmarrjes dhe tani nuk do të përfshihem. Nuk ndërhyj në përzgjedhjen e asnjë kandidature.
Si janë marrëdhëniet tuaja me kreun e PD-së, Basha?
Janë marrëdhënie të një kryetari partie dhe një deputeteje të PD-së.
Mund të kemi një rikthim të Berishës në krye të PD-së?
Këtë përgjigje mund ta merrni vetë nga z.Berisha. Po e ndihmon jashtëzakonisht PD-në dhe po bën një betejë thelbësore në Kuvend.
A i mungon PD-së Sokol Olldashi?
Sigurisht që ka qenë një koleg mjaft i rëndësishëm i PD-së si në parti, ashtu edhe në Kuvend. Olldashi ishte një koleg mjaft i rëndësishëm.
Si e shikoni kandidaturën e Gjergj Bojaxhi si kandidat i pavarur për Bashkinë e Tiranës?
Të kërkoj ndjesë, por nuk do të doja të flisja për këtë. Nëse do thosha jo, do t’i bija në qafë.
E shikoni të mbyllur çështjen “Doshi”?
Ka përpjekje për ta mbyllur, por kapitulli i parë është i tmerrshëm.

 

(ma.ar/a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: