TIRANË- Atentati me eksploziv ndaj farmacisë së Bashkim dhe Luiza Tahirit, prindërve të Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ka bërë që policia e Shtetit të vendosë mbrojtje ndaj tyre. Për më tepër që në rrugën “Muhamet Gjollesha”, në stacionin e urbanit është gjetur sërish një sasi eksplozivi, një kallëp tritol gati për të shpërthyer. Përballë vendit ku u gjet tritoli ndodhet edhe banesa e prindërve të ministrit Tahiri, por nuk dihet ende nëse objektiv i këtij atentati të mbetur në tentativë kanë qenë pikërisht ata.
Gazetari Spartak Koka tha se nisur nga dyshimet, Bashkim dhe Luiza Tahiri janë vënë në ruajtje nga policia, për shkak edhe të cilësive të veçanta të ministrit Tahiri. Tre ngjarjet, të konsideruara akte terroriste kanë ngritur më këmbë Policinë e Shtetit, e cila po zbaton një plan masash për të identifikuar çdo person të dyshimtë.
Lidhur me shpërthimin e ndodhur në farmacinë e familjes Tahiri, janë marrë në pyetje disa persona, kryesisht dëshmitarë si taksistë dhe infermierë të Spitalit numër 5, të cilët mund të kenë parë diçka të dyshimtë para apo pas ngjarjes.

Efektivë të anti-terrorit po ndjekin ngjarjen, duke hetuar me imtësi çdo provë e detaj të gjetur në vendet e ngjarjes.Zyrtarisht nuk ka ende njoftim nga policia për ngjarjet.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb