TIRANË- Kreu i Grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka folur pas mbylljes së seancë parlamentare, nga e cila u përjashtua kryetari i PD-së Lulzim Basha pasi shkeli rregulloren sipas kryeparlamentarit Gramoz Rruçi.


Balla tha se Basha shkeli rregulloren ashtu si edhe deputetët e PD-së por se koha kur Kuvendi ishte teatër jo i këndshëm për shqiptarët, sipas tij ka mbaruar njëherë e përgjithmonë. Deputeti socialist tha se përjashtimi i Bashës tregoi se nuk ka deputetë të veçantë apo superdeputetë.

“Më vjen shumë keq dhe ndaj të njëjtin vlerësim me kreun e Kuvendit që respektimi i rregullores sot u zbatua ashtu siç parashikohen ndaj kryetarit të PD-së po ato janë të njëjta ndaj çdo deputeti dhe nëse çdo deputet do bënte të njëjtat shkelje i njëjti vendim do kishte qenë. Nuk gjejnë dot një nen të rregullores që të jetë shkelur në punimet e Kuvendit. Koha kur Kuvendi ishte një teatër jo i këndshëm për veshin e sytë e shqiptarëve ku ata që miratonin ligjet i shkelnin, ka mbaruar njëherë e përgjithmonë dhe sot rasti më i mirë për t’i thënë çdo deputeti se nuk ka deputetë të veçantë e as super deputetë. Edhe vetë e keni parë si më është ndërprerë fjala sot nga zoti Ruçi. Kjo duhet të jetë një praktikë pune që duhet të vazhdojë”, tha Balla.

I pyetur nëse do ketë një seancë tjetër për debatet për reformën zgjedhore ashtu siç kërkoi PD-ja, Balla tha se e vetmja seancë e përcaktuar është ajo e së enjtes.

“E paimagjinueshme se si PD sot shpërdoroi kohën në kundërshtim me rregulloren. Për sa kohë konferenca e kryetarëve ka përcaktuar dje me konsensus se kur janë seancat, është seanca e ditës së enjtes”, u shpreh Balla.

Kreu i grupit parlamentar nuk pranoi të komentonte thirrjen e Bashës që qytetarët të marrin në dorë parlamentin, por theksoi që deputetët duhet të respektojnë rregulloren.

“Nuk e komentoj këtë, e kam dëgjuar shpesh këtë thirrje. Jemi lodhur me këto thirrje. Kuvendi i Shqipërisë më në fund po hyn në një bindje që respektimi i rregullores do jetë i njëjtë për të gjithë dhe asnjë deputet nuk duhet të thyejë rregulloren. Do iu sugjeroja deputetëve të PD-së që rregullorja e Kuvendit lë hapësira për debat dhe diskutime por çdo deputet duhet të respektojë rregulloren”, deklaroi Balla.

Mes të tjerash ai sugjeroi kolegët e PD që duhet të respektojnë rregulloren e Kuvendit. “Unë doja që t’i sugjeroja kolegëve të PD se rregullorja e Kuvendit lë hapësira, por çdo grup parlamentar dhe se duhet të respektojë çdo grup tjetër. Sot grupi i PD dhe i LSI morën atë vendim për të shtyrë dhe nëse do ishte ‘mbyllje goje’ siç tha kryetari Basha, mund të ishte bërë edhe nga unë si kryetar që ‘për këtë çështje s’do të kishte propozime’. Kuvendi u shpreh me votë dhe që në atë moment nuk kishte më vend për diskutime. Asnjë deputet, qoftë dhe kryetari, pa ditur rregulloren e Kuvend, nuk thërret dot Konferencën e Kryetarëve. Basha dhe deputetët e kanë detyrim që të shohim rregulloren e Kuvendit. Se ka të drejtë Basha që të kërkojë thirrjen e Konferencës së Kryetarëve. Pasi kjo e fundit është organ konsultativ, pasi vendimet e saj i referohen seancës dhe ato vendime i merr Kuvendi”, tha Balla.

Po ashtu kreu i grupit parlamentar të PS-së theksoi se deputetët e PD-së dhe Basha kanë shkelur me të dyja duart rregulloren.

“Kam dashur shumë që deputetë të PD të mos rrinin 5 orë të ngujuar më kot në bllokim dhe mosrespektim të rregullores. Pasi sot Partia Demokratike dhe deputetët kanë thyer rregulloren me të dyja duart dhe kryetari Basha.

Duhej të gjendjen një zgjidhje brenda kuadrit të rregullores. Këtu kërkohen kauza, pasi hallin e PD të gjithë e dinë,. Por nuk bëhen në kurriz të rregullores së Kuvendit. Nuk ka më një histori të vjetër të Shqipërisë, ku një deputet do e respekton rregulloren dhe një tjetër se respekton. Të gjithë deputetët duhet të vënë mend që të respektojnë rregulloren.”, tha Balla.
(m.k/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: