Nga ERI BAÇO*

GJIROKASTËR – Një tjetër banesë karakteristike në qytetin e Gjirokastrës po shkon drejt rrënimit total. E njohur si banesa e Thanas Vajës në lagjen Varrosh, monument i kategoriësë së dytë, sot kjo shtëpi thuajse është drejt degradimit ndërsa mbijetesa e deritanishme është falë investimeve të pakta të disa familjeve që jetojnë në këtë godinë trekatëshe.

Shirat e ditëve të fundit kanë ndikuar në shembjen e një pjese të çatisë, ndërsa muret anësore kanë çarje të dukshme. Aktualisht, në këtë shtëpi jetojnë tre familje, të cilat përballen me rrezikun e jetës, pasi pjesa e brendshme, shkallaret dhe tavanet prej druri janë të kalbura nga lagështia, rrezikojne të bien.
Banorët pohojnë se kushtet në të cilat jetojnë janë shumë të këqia, por në pamundësi për të shkuar diku tjetër, janë të detyruar të jetojnë mes frikës. Për shkak të ekonomisë së ulët, ata kane bërë disa ndërhyrje të vogla në banesë, por kjo nuk ka përmirësuar gjendjen e banesës.

Dhjetëra banesa karakteristike janë të banuara nga familje të ardhura, të cilat rrezikohen për shkak të gjendjes së tyre, ndërsa gati katër vjet më parë, bashkia ka marrë vendim duke iu kërkuar largimin nga këto shtëpi, por kjo gjë nuk është zbatuar nga banorët për të vetmen arsye, nivelin e ulët ekonomik .
ar./BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb