TIRANE – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ka quajtur të pafalshme çdo vonesë që bëhet për nxjerrjen e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri para përgjegjësive penale.

Ai gjithashtu akuzoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, se me shkarkimet në policinë e Elbasanit po kërkon të tërheqë vëmendjen nga ngjarja më e nxehtë e momentit që është dosja “Habilaj”.

“Të sekuestrojnë pasuritë e tyre dhe të vënë para përgjegjësinë kokat e këtij klani duke nisur me Tahirin. Ka 48 orë që faktet e lidhjes së Tahirit me këtë bandë janë bërë publike, prandaj çdo vonesë është e pafalshme. Dua të dënoj përpjekjet e Çakos dhe kupolat e policisë së shtetit për të tërhequr vëmendjen nga ky operacion i suksesshëm, i cili ndodhi deri në momentin kur nuk e parandalonin dot. Opozita ka denoncuar prej 1 muaji ngjarjet e rënda të Elbasanit. 4 tonshi i kapur sot në Vlorë është maja e ajsbergut. Ka vetëm një rrugë për ta nxjerr vendin nga kriza, largimi i Ramës dhe krijimi i qeverisë anti-mafia, që përmes reformës zgjedhore do garantojë zgjedhje të lira e të ndershme,” tha Basha.

Kreu i PD tha se përgjimet kanë nxjerrë zbuluar qeverinë e Ramës dhe bashkëpunimin e tij me bandat kriminale.

“Duket nga përgjimet e dosjes, se si ka funksionuar mekanizmi, se si banda ka ndihmuar në zgjedhje Ramën. Qeveria e tij është kapur në flagrancë. Kreu i këtij narko-shteti është Edi Rama. Kriminelët nuk do tregonin me gisht furgonët e policisë si pronën e tyre, kjo është përgjegjësi e Edi Ramës. Pas cdo Shullazi, Habilaj e Balili fshihet Edi Rama. Largimi i tij është i domosdoshëm,” tha Basha.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: