TIRANE– Protesta e opozitës para Kryeministrisë vijon ende, ndonëse nga Policia e Tiranës u tha se afati i protestës ishte deri në orën 16:00, duke njoftuar edhe penalizime për organizatorët e saj, Arben Ristani dhe Enno Bozdo.

Por ndonëse pjesa më e madhe e protestuesve është larguar nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, një pjesë e tyre ka ndihmuar në ngritjen e çadrës që po vendoset pranë Kryeministrisë për të vijuar protestën brenda saj.

Teksa qëndron bashkë me protestuesit në Bulevard, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka ritheksuar se Qeveria teknike është kushti i vetëm për zgjedhje të lira e të ndershme në vend.

“S’ka negocim politik, është një farsë, një kryeministër që është bërë njësh me kriminelët dhe Eskobarët e Ballkanit, jemi në prag të një kolapsi total të institucioneve demokratike. Qeveria teknike kushti i vetëm për zgjedhje të lira e të ndershme”, – tha Basha para gazetarëve.

Ndërkohë pritet zgjatja e çadrës për të zënë më shumë protestues. Brenda saj janë vendosur edhe stola për protestuesit, kjo pasi ditën e nesërme pritet që t’i bashkohen edhe protestues të tjerë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb