Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Karlo Tavekio, gjatë ceremonisë që po zhvillohet në teatrin “Migjeni”, nuk ka ngurruar të falënderoj autoritetet vendëse për pritjen, por s’ka lënë pas as batutat.

“Ju falënderoj për pritjen që na keni bërë. Jemi shumë afër me njëri-tjetrin, por ne këtu kemi ardhur për të fituar. Edhe ju doni që të fitoni ndeshjen. Ju kemi pak frikë në fakt, por gjithsesi ju kemi sjellë krenarinë tonë, 4 Kupat e Botës”, – ka thënë Tavekio.

Ndërsa më pas e ka marrë fjalën kreu i FSHF-së, Armand Duka. “Kam dy urime për të bërë. Së pari, uroj që sot Italia ta humbë ndeshjen. Së dyti, uroj që në vizitën e ardhshme në Shqipëri, të vini me 5 kupa Bote. Jam i bindur që do të kualifikoheni përmes fazës “play-off””, – iu përgjigj Duka.

Fjalën më pas e mori kryeministri Edi Rama, i cili i bëri me dije presidentit të federatës italiane se në Shkodër, ka lindur e para skuadër futbolli, që ka mbajtur emrin e klubit të famshëm italian, Juventus. Ndërkohë, presidenti Tavekio i dhuroi kryeministrit Rama një fanellë të mesfushorit Kandreva, i cili ka origjinë arbëreshe. “Unë jam tifoz i Juventusit në fakt, por mes një lojtari të Lacios dhe Interit, OK. Do ta veshi tim bir”, – tha me batutë Rama.

Më pas Duka dhuroi disa fanella, mes tyre numrin dy kryeministrit Rama dhe numrin 3 homologut të tij italian, Tavekio. Ndërsa kryetares së bashkisë, Voltana Ademi, i dhuroi një fanellë kuqezi me numrin 4./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: