Ndryshe nga vendet e tjera të Rajonit, Shqipëria dhe Bosnja kanë mbetur pas në lidhje me plotësimin e kritereve për shkencën dhe teknologjinë, që kërkon Bashkimi Europian për integrimin.

Plotësimi i kritereve për shkencën, kërkimin dhe inovacionin ka një nivel të mirë të përgatitjeje në Maqedoni, Malin e Zi dhe Serbi, ndërsa në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë përgatitjet janë në një fazë të hershme.

BE vëren se Shqipëria nuk ka bërë hapa para në fushën e shkencës dhe kërkimit. BE kërkon që këtë vit të miratohet një strategji gjithëpërfshirëse për hulumtimin dhe inovacionin, të ndërtohen kapacitete për rritjen e investimeve në kërkime në përputhje me prioritetet e BE-së.

BE vë në dukje se investimet në kërkimin dhe masat për forcimin e kapaciteteve kërkimore në nivel kombëtar duhen rritur.

Edhe në Bosnjë përgatitjet për kërkimin dhe politikat e inovacionit janë në një fazë të hershme. BE kërkon nga Bosnja forcimin e kapaciteteve të agjencive të arsimit në nivel shtetëror për të zhvilluar standardet e BE dhe për të rritur nivelin e cilësisë në arsim.

BE vlerëson se Maqedonia ka një nivel të mirë përgatitje në fushën e shkencës dhe kërkimit. Megjithatë këshillon që vendi duhet të vazhdojë rritjen e nivelit të investimeve në kërkime, në veçanti në sektorin privat dhe të miratojë një program 2016-2020 për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.

Kosova gjithashtu është në fazë fillestare të plotësimit të këtij kriteri. Gjatë periudhës së raportimit, nuk ka pasur progres në fushën e arsimit, por ka pasur pak përparim në fushën e kërkimit. BE vëren se cilësia e arsimit duhet të përmirësohet në mënyrë të konsiderueshme.

Në Malin i Zi ekziston një nivel i mirë i përgatitjeje. Por në vijim vendi duhet të përmirësojë përpjekjet për të rritur investimet në kërkime, në veçanti përmes stimulimit të investimeve nga sektori privat.

BE ka vënë re se Serbia ka një nivel të mirë të përgatitjes në fushën e shkencës dhe kërkimit. Disa përparime janë bërë me miratimin e strategjisë për zhvillimin shkencor dhe teknologjik. BE rekomandon se në periudhën në vijim Serbia duhet miratojë planin e veprimit për zbatimin e strategjisë dhe të nxisë bashkëpunimin mes industrisë dhe akademisë dhe rritjen e nivelit të investimeve në kërkim. /Monitor/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: