Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka komentuar mundësinë e përfshirjes së saj në drejtimin e një qeverie tranzitore, duke theksuar se marrja e posteve politike nuk ka qenë asnjëherë synimi i saj që prej hyrjes në politikë.

E ftuar në emisionin “Prime News24” në News24, Koçeku u shpreh se për të më i rëndësishëm është rrugëtimi politik dhe qëndrimi pranë qytetarëve, sesa mbajtja e një pozicioni të caktuar në institucione.

“Pozicionet e caktuara nuk kanë qenë asnjëherë qëllimi im që kur i kam hyrë politikës. Për mua është e rëndësishme të kem një rrugëtim të shëndetshëm. Kjo nuk përcaktohet domosdoshmërisht përmes pozitave të caktuara politike. I vlerësoj dhe është një vlerësim i madh edhe nga ana e qytetarëve që herë pas here e artikulojnë këtë. E marr si një vlerësim të jashtëzakonshëm”, u shpreh Koçeku.

Ajo theksoi se aktualisht vëmendjen e ka të përqendruar te zhvillimet politike dhe protestat në sheshet e Tiranës.

“I rëndësishëm është rrugëtimi dhe ajo që ndodh në sheshet e Tiranës. Unë aty e kam vëmendjen më shumë”, deklaroi deputetja e pavarur.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb